Nga 23 deri më 28 shtator zhvillohet në Tiranë Java Kulturore Kineze, e mbështetur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Këto veprimtari mbahen në 75-vjetorin e themelimit të Republikës Popullore të Kinës dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Kinë.
Java kulturore nisi me çeljen e ekspozitës “Miqtë, Art dhe Histori”, në Galerinë e Artit në Tiranë, dhe vijoi me Javën e Filmit Kinez, në kinemanë “Cineplex”.
Të pranishëm në ceremoni ishin ambasadorja e Kinës në Shqipëri, Pang Chunxue, zv.ministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blerta Rama, kryetari i Shoqatës Kulturore Shqipëri-Kinë, Iljaz Spahiu, përfaqësues të filmit shqiptar, të medies, si dhe dashamirës shqiptarë dhe kinezë të filmit.
Ambasadorja Pang u ndal në 75-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Shqipërisë, duke theksuar se në Javën e Filmit Kinez do të shfaqen 6 prodhime të kinematografisë kineze, me temë sociale dhe kulturore.
Ambasadorja kineze deklaroi se shkëmbimet kulturore të filmit dhe televizionit kino-shqiptar mund të gjurmohen në vitet 1960 dhe 1970. Sipas saj, vitet e fundit në Shqipëri janë transmetuar veprat e filmit dhe televizionit kinez si “Panda kineze”, “Ode e gëzimit” dhe “Pekini simpatik”.
“Ambasada e Kinës në Shqipëri është e gatshme të forcojë bashkëpunimin me të gjitha qarqet shqiptare dhe të zhvillojë më shumë aktivitete kulturore, për të rritur miqësinë dhe mirëkuptimin e ndërsjellë mes dy popujve, si dhe për të promovuar shkëmbime kulturore dypalëshe, për të dhënë më shumë kontribute në ndërtimin e një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin”,- deklaroi ambsadorja Pang.
Sinologu Iljaz Spahiu, kryetar i Shoqatës Kulturore Shqipëri-Kinë, i cili ka përkthyer filmat nga gjuha kineze në atë shqipe, shprehu vlerësimet për përvojën e tij të përkthimit duke e cilësuar këtë javë të rëndësishme për shkëmbimin kulturor shqiptaro-kinez.
Në mbrëmjen e parë të Javës së Filmit Kinez u shfaq filmi “Heroi im” i cili u ndoq me interes nga të pranishmit.
Java Kulturore Kineze do të vijojë me një koncert muzikor në Katedralen e Kishës Ortodokse në Tiranë nga artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Vallëzimit të Republikës së Kinës, të cilët do të performojnë pjesë nga historia mijëravjeçare e trashëgimisë së tyre muzikore.
Java Kulturore Kineze do të përmbyllet të premten në Pedonalen e Tiranës me “Festën e Shijes Kineze”, ku kryeqytetasit do të mund të shijojnë gatime tradicionale kineze, por dhe punime artizanale, lojëra argëtuese, demonstrime të kaligrafisë kineze, perfomancë instrumentin tradicional kinez Guzheng, etj. (Eda Merepeza)