Bashkitë Pogradec dhe Strugë, paketa të përbashkëta turistike në panairin e Parisit
2024-09-25 18:02:55

Panairi i Parisit (Foto Atsh)

Panairi i Parisit (Foto Atsh)

Bashkia Pogradec dhe bashkia e Strugës në Maqedoninë e Veriut prezantuan në panairin ndërkombëtar të turizmit 2024 në Paris të Francës, paketa të përbashkëta turistike, për një qasje më të zgjeruar të fluksit të vizitorëve dhe shtrirjen e sezonit turistik gjithëvjetor në të dyja vendet.

Pjesëmarrja e të dyja bashkive në panairin “International French Travel & Market-IFTM 2024”, në kuadër të projektit ndërkufitar “COOULTURE”, u mbështet nga BE-ja dhe kishte në fokus promovimin e turizmit dhe trashëgimisë kulturore në Pogradec dhe Strugë, shkruan “ATSH”.

Ky panair konsiderohet si një nga ngjarjet kryesore për industrinë e udhëtimit, duke bërë bashkë mbi 30 mijë profesionistë të turizmit nga e gjithë bota.

Gjatë tri ditëve të eventit u zhvilluan 90 konferenca, u prezantuan 140 marka, si dhe u promovuan mbi 170 destinacionet turistike botërore.

Bashkitë Pogradec dhe Strugë bënë një promovim të përbashkët të projektit, si dhe të produkteve turistike në bashkëpunim me turoperatorët e dy qyteteve, çka zgjoi interes të shtuar të vizitorëve të ndryshëm për të parë nga afër këto dy qytete. (Elona)