Hapet për herë të parë në Universitetin e Tiranës programi i gjuhës së shenjave
2024-09-24 16:52:58

Ministrja Manastirliu (Foto Oranews)

Ministrja Manastirliu (Foto Oranews)

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, deklaroi se në Universitetin e Tiranës u hap për herë të parë programi i gjuhës së shenjave.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, cituar nga “RTSH”, ministrja Manastirliu bëri të ditur se kjo u mundëson personave që nuk dëgjojnë dhe nuk flasin, që gjuha e tyre të njihet dhe të mësohet në nivel akademik.

“Kjo nismë do të rrëzojë barrierat për studentët me aftësi ndryshe, me qëllim përfshirjen dhe pjesëmarrjen e tyre në jetën akademike dhe studentore”,- deklaroi ministrja e Arsimit.

Gjuhët e shenjave janë gjuha e parë natyrore e njerëzve që nuk dëgjojnë dhe, për këtë arsye, njerëzit që nuk dëgjojnë kanë të drejtë të shprehen me anë të shenjave dhe nuk duhet të detyrohen të përdorin gjuhën e folur.

Gjuhët e ndryshme të shenjave të përdorura nga komunitetet e njerëzve që nuk dëgjojnë në mbarë botën janë njësoj të vlefshme si mjete komunikimi dhe për këtë arsye duhet të përdoren dhe respektohen. (Fatosi)