Shqipëria themelon Akademinë e saj të Energjisë
2024-09-24 10:20:46

Ministrja Balluku prezanton Akademinë e Energjisë (Foto ATSH)

Ministrja Balluku prezanton Akademinë e Energjisë (Foto ATSH)

Të gjitha vendet evropiane me burime natyrore energjitike të spikatura ose prodhim të konsiderueshëm të energjisë së gjelbër, kanë akademitë e tyre të energjisë. Në këto struktura, ato përgatisin specialistët e tyre për projektet e djeshme, të tanishme dhe të ardhshme të energjisë.

Akademia e Energjisë e Shqipërisë është projekti më i ri i Ministrise se Infrastruktures dhe Energjise, përmes OSHEE-së. Akademia do të përqëndrohet në formimin e brezit të ardhshëm të profesionistëve në sektorin e energjisë, fillimisht ne sektorin shteteror, pastaj dhe ne ate privat. Do të lidhë teorinë me praktikën në energjitikë.

Bashkëpunimi me shkollat profesionale mbetet një element kyç për strukturën e re që do të ngrihet shumë shpejt, si një mundësi e shtuar për të gjithë të rinjtë tanë. Profesionistët e sektorit të energjisë do të formohen në Akademinë e Energjisë. 

Në vitin shkollor 2024 -2025, në shkollat e mesme profesionale te Shqiperise janë regjistruar 10 përqind më shumë nxënës, në raport me vitin shkollor 2023-2024.

Na nevojiten njelloj si oksigjeni specialistë të rinj dhe të zotë në të gjithë sektorët e prodhimit të energjisë së gjelbër. Prandaj dhe në Akademinë e Energjisë, në një të ardhme të afërt, parashikohet të përfshihen edhe teknikët hidro.

Arsimi-Profesional në Shqipëri (Foto ATSH)

Arsimi-Profesional në Shqipëri (Foto ATSH)

Më 20 shtator 2024, në vizitën në shkollën e mesme profesionale teknike dhe elektrike “Gjergji Canco” në Tiranë, ZvKryeministrja dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku theksoi se “Nevoja më e madhe që ne kemi sot është tekniku elektriçist ose inxhinieri elektrik, pasi tregu ka shumë nevojë për ta. Ne kemi vendosur të hapim dyert për të rinjtë nga 18-25 vjeç. Keni zgjedhur një profesion që jo vetëm është shumë i bukur, por është dhe një mision për t’u shërbyer qytetarëve.

Pavarësisht se Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike(OSHEE), si një nismëtar, ka vendosur ta quajë Akademia e OSHEE-së, ne do ta quajmë Akademia e Energjise, pasi kjo strukturë do të përgatisë jo vetëm profesionistët e ardhshëm, të cilët do të kontribuojnë në OSHEE, por i gjithë stafi i Ministrisë sonë synon që në këtë akademi të përgatiten të gjitha stafet që do të kontribuojnë në sektorin energjitik, përfshirë këtu operatorin e transmetimit(OST), si dhe Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare(KESH).

Kjo e fundit është një nga komponentët më të rëndësishëm dhe kollona bazë e mbajtjes së sistemit energjitik, duke qenë se KESH mbulon 75 përqind të kërkesës së tregut për konsum, por shpesh edhe më shumë në vitet hidrike të mira, kur kemi prurjet ujore të duhura në hidrocentralet e KESH.

Tashmë, Republika e Shqipërisë është duke zhvilluar burime alternative, për të mos qenë në vartësi totale të fluksese hidrike nga lumenjtë, duke zhvilluar edhe prodhimin nga panelet fotovoltaike, përmes ankandeve publike që ne kemi hapur dhe që kanë nisur në mënyrë të sukseshme. Po ashtu, edhe përmes ankandeve eolike, të energjisë së erës”.   

Shqipëria është futur bindshem në rrugën e energjive të gjelbra alternative ndaj energjisë nga uji, si energjia nga dielli dhe era.  Më 10 korrik 2024, Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës shpalli kompanitë e huaja fituese të ankandit më të madh të energjisë diellore që Shqipëria ka zhvilluar deri sot, ankandit hibrid me kapacitet 300 megavat-ore.

Ky kapacitet është akoma dhe më i madh se prodhimi vjetor i hidrocentralit të Vaut të Dejës. Me energjinë e erës dhe diellit, është si të kemi dy hidrocentrale të rinj të ndërtuar në vend.

Ministrja Belinda Balluku (Foto A2CNN)

Ministrja Belinda Balluku (Foto A2CNN)

Të dyja ankandet hibride të erës dhe diellit, si ai për energjinë e erës më 25 korrik 2023, edhe ai i 10 korrikut 2024 për fotovoltaikët, ishin procese të hapura, me pjesëmarrjen e disa prej kompanive të huaja, të njohura ndërkombëtarisht. Me ankandet ndërkombëtare të realizuara, sot Shqipëria merret si një rast studimor për mirë. Se si një vend shkon me bindje nga investimi  hidrologjik me hidrocentrale, në investimin për energjinë diellore dhe atë të erës.

Tani Shqipëria ka arritur një nivel, i cili kërkon që, përveç hidrocentraleve, të shfrytëzojmë mirë dhe të kemi edhe një prodhim të konsiderueshëm dhe të qendrueshëm, që vjen nga parqet fotovoltaike dhe eolike, nga rrezet e diellit dhe nga era.

Nga ana tjeter, inovacioni dhe përdorimi i hidrogjenit apo burime të tjera alternative të qëndrueshme, si gazi i lëngshëm, bazuar në teknologji që sigurojnë ndotje sa më të ulët të mjedisit, do të jenë zgjidhje për prodhimin vendas, duke qenë se vendi ynë synon që në vitin 2030 të kthehet në një vend eksportues neto i energjisë.

OSHEE (Foto Dosja.al)

OSHEE (Foto Dosja.al)

Kompania OSHEE i ka të gjitha burimet për të furnizuar me kuadro trajnues dhe studentë Akademinë, duke pasur edhe numrin më të madh të profesionistëve të fushës.

Akademia e Energjisë do të përqëndrohet në tre drejtime. Do të ofrojë trajnimet për stafin e ri në kompaninë OSHEE, do të bashkëpunojë me shkollat profesionale, me module të posaçme, ku nxënësit të vijnë të bëjnë praktikë pranë OSHEE-së, si dhe do të bashkëpunojë edhe me universitetet, për të thithur inxhinierët më të mirë.

 

Fatos Çoçoli