Kryeministri Rama: Mbështesim transformimin e Urdhrit Bektashi si qendër sovrane tolerance e bashkëjetese në Tiranë
2024-09-24 16:45:38

Kryeministri Rama ne OKB (Foto Rtsh)

Kryeministri Rama ne OKB (Foto Rtsh)

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka deklaruar se mbështet transformimin e Urdhrit Bektashi si një qendër e re moderimi e bashkëjetese të paqtë në Tiranë, shkruan “ATSH”.

Deklaratën e kryeministrit shqiptar u bë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, në Nju Jork, në Samitin për të Ardhmen.

“Ky është parimi të cilit i qëndron Shqipëria dhe kjo është ajo me të cilën rrekemi të veprojmë e ky është burimi i frymëzimit tonë, për të mbështetur transformimin e qendrës së Urdhrit Botëror Bektashi në një shtet sovran brenda kryeqytetit shqiptar, Tiranës, si një qendër e re moderimi, tolerance e bashkëjetese të paqtë”,- deklaroi Rama.

Gjatë fjalës së tij, ai u ndal në shembullin e humanizmit që ka dhënë Shqipëria në botë. Ai kujtoi se gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria u shndërrua në të vetmin vend në Europë që kishte më shumë hebrenj pas lufte, sesa para saj.

Më tej kryeministri shqiptar kujtoi se pas shkatërrimit e rënies së Kabulit në duart e talibanëve 3 vjet më parë, Shqipëria strehoi disa mijëra afganë.

Rama theksoi se Shqipëria po ashtu i ka dhënë botës shenjtoren më të re, Nënë Tereza, jeta e së cilës ka mishëruar dashurinë për njerëzimin.

“Ajo na ka kujtuar se jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”,- deklaroi kryeministri Rama. (Fatosi)