Foto nga VCG
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, gjatë një vizite në Shkup, nënvizoi rëndësinë e Korridorit VIII për qytetarët e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa e cilësoi atë një projekt zhvillimi, bashkëpunimi, integrimi dhe sigurie në rajon e më gjerë, shkruan “ATSH”.
Në deklaratën e përbashkët për shtyp me homologun maqedonas, Afrim Gashi, Spiropali u ndal te bashkëpunimi mes dy vendeve.
“Ne ndihemi krenarë që dy vendet tona bashkë me Italinë dhe Bullgarinë kanë nisur një projekt të madh të përbashkët, Korridorin VIII, një ëndërr e shqiptarëve dhe qytetarëve të Maqedonisë së Veriut”,- tha ajo.
Në aspektin e bashkëpunimit dypalësh, Spiropali ndau bindjen për nevojën e angazhimit të Parlamenteve si instrumente dialogu që ndikojnë në përafrimin e mëtejshëm mes dy vendeve.
Duke u ndalur te procesi i integrimit europian, Spiropali tha: “Ne gjykojmë se BE-ja duhet të vazhdojë të ofrojë një rrugë të qartë dhe të arritshme drejt anëtarësimit për të dyja vendet tona, si dhe për të gjithë rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor. Duke mbajtur një politikë të besueshme zgjerimi, BE-ja mund të stimulojë reformat dhe të nxisë një ndjenjë shprese dhe drejtimi për të ardhmen”.
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, deklaroi se miqësia dhe bashkëpunimi që ekziston mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut duhet të fuqizohet dhe përmirësohet edhe më shumë në të ardhmen.
“Ndërtimi i rrugëve dhe lidhjeve energjetike dhe hekurudhore ndërmjet dy vendeve në kuadër të Korridorit VIII duhet të vazhdojë me synim për një shkëmbimin më të madh të mallrave, njerëzve dhe shërbimeve për të cilat ka një potencial më të madh”,- tha Gashi. (Fatosi)