SHBA- Të shtëna masive me armë zjarri në Alabama, 4 viktima e dhjetëra të plagosur
2024-09-23 12:04:59

Të shtëna masive në Alabama (Foto nga RTSH)

Të shtëna masive në Alabama (Foto nga RTSH)

Të paktën katër persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë kanë mbetur të plagosur në të shtëna masive në një nga zonat më të njohura argëtuese në Birmingham, Alabama, njofton RTSH.

Dyshohet se kanë qenë disa persona që kanë qëlluar mbi një grup njerëzish në zonën Five Points South, vend i njohur për jetën e natës.

Viktimat ishin të gjithë jashtë në trotuar ose në rrugë. Detektivët po punojnë për të përcaktuar nëse autorët iu afruan viktimave apo qëlluan nga një automjet.

Është e paqartë saktësisht se sa njerëz hapën zjarr apo motivet e ngjarjes dhe ende nuk ka asnjë autor të dyshuar.

Ngjarja në Alabama zgjeron listën e të paktën 403 të shtënave masive në Shtetet e Bashkuara deri më tani këtë vit, sipas  Arkivit të Dhunës me Armë.