Shqipëria do të liberalizojë vizat me disa vende
2024-09-23 11:03:43

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Ministri shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani gjendet në Nju York, për të marrë pjesë në një sërë aktivitetesh, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ( 22 – 30 shtator 2024), njofton ATSH.

Në njoftimin për mediet, MEPJ bën me dije se ministri Hasani pritet të firmosë disa marrëveshje për liberalizimin reciprok të vizave me disa vendet.  Sipas njoftimit, marrëveshjet janë në funksion të forcimit të pasaportës shqiptare në botë, një prej angazhimeve kryesore të kryediplomatit shqiptar, që prej marrjes së mandatit si Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Gjithashtu, ministri Igli Hasani do të ketë takime dypalëshe me Ministrat e Jashtëm të Azerbajxhanit, Bullgarisë, Egjiptit, Gjeorgjisë, Kazakistanit, Maltës, Marokut, Mongolisë, Turkmenistanit, Qipros etj.

Gjatë javës së nivelit të lartë, Shqipëria, përmes Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme do të organizojë dhe drejtojë disa takime, në cilësinë e anëtares së OKB-së por edhe të kryesueses së nismave rajonale si: Karta e Adriatikut, Nisma e Evropës Qendrore dhe Procesi i Bashkëpunimit të vendeve të Evropës Juglindore.