Foto nga VCG
Rusia nuk do të marrë pjesë në një samit të dytë të mundshëm të paqes për Ukrainën, pasi nuk ka lidhje me zgjidhjen e konfliktit, tha të shtunën zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova, njofton Xinhua. Zakharova i bëri komentet në përgjigje të planit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për një samit të dytë të paqes në nëntor, ku ai synonte të ftonte përfaqësuesit rusë.
"Përfaqësuesit rusë nuk kanë marrë pjesë në asnjë takim nën të ashtuquajturin Procesi Burgenstock dhe nuk planifikojnë ta bëjnë këtë. Ky proces nuk ka të bëjë fare me zgjidhjen e vërtetë të konfliktit," u shpreh ajo në faqen e internetit të ministrisë.
Samiti synon të promovojë formulën e pazbatueshme Zelensky si bazën e vetme për zgjidhjen e konfliktit, duke kërkuar mbështetje ndërkombëtare dhe duke e përdorur atë si një platformë për t'i dhënë Rusisë një ultimatum për dorëzim, shtoi Zakharova. Zakharova përsëriti se Rusia nuk refuzon një zgjidhje diplomatike të krizës dhe mbetet e hapur për diskutime mbi propozime serioze që pasqyrojnë situatën në terren, realitetet gjeopolitike në zhvillim dhe nismën e propozuar nga presidenti rus Vladimir Putin më 14 qershor.
“Pa Rusinë dhe pa marrë parasysh interesat e saj, arritja e një zgjidhjeje të drejtë dhe të qëndrueshme është e pamundur”, tha ajo.
Zakharova kritikoi Kievin dhe vendet perëndimore për fokusimin në luftë dhe jo në paqe, duke përmendur sulmet e fundit të Ukrainës në rajonin e Kurskut dhe kërkesat për armë me rreze të gjatë të NATO-s të afta për të goditur thellë në territorin rus. (Fatosi)