Foto nga Tv Klan
Ministri i jashtëm shqiptar Igli Hasani ka bërë thirrje për politika që nxisin angazhimin kuptimplotë të grave në jetën publike. Deklaratat e tij Hasani i bëri në takimin “Beijing+30: drejt një bote me barazi gjinore”, mbajtur në Nju York, ku gjendet në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Ministri Hasani nënvizoi se politikat e qeverisë shqiptare nxisin angazhimin kuptimplotë të grave në jetën publike.
“Le të ndërtojmë një të ardhme ku gratë dhe vajzat fuqizohen për të përmbushur potencialin e tyre dhe për të kontribuar në mënyrë domethënëse në përmirësimin e shoqërisë. Së bashku, ne mund të krijojmë një botë më të drejtë, më të barabartë dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë”, citon ATSH nga fjala e zotit Hasani.
Prioritetet e Shqipërisë, gjatë sesionit të 79 të Asamblesë të Përgjithshme të OKB-së do të jenë në përputhje me kontributin e dhënë gjatë periudhës së anëtarësimit në Këshillin e Sigurimit (2022-2023) dhe përfshijnë promovimin e multilateralizmit, mbështetjen për Axhendën 2030 dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së.