Presidenti i Kinës Xi Jinping u takua të hënën paradite në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin me përfaqësuesit e ekipit të misionit për eksplorimin e Hënës "Chang'e-6" dhe mbajti një fjalim të rëndësishëm. Ai u shpreh se arritjet e eksplorimit hënor janë fryt i punës së disa brezave të ekspertëve kinezë të hapësirës dhe tregojnë rezultatet e mëdha të Kinës në pavarësinë dhe përparimin shkencor e teknologjik, si edhe shpirtin e fortë të popullit kinez. Xi gjithashtu theksoi rëndësinë e promovimit të frymës së eksplorimit, përpjekjes e bashkëpunimit për zhvillimin e vendit, duke nxitur besimin dhe krenarinë kombëtare dhe duke çuar përpara plotësisht ndërtimin e një vendi të fuqishëm dhe përtëritjen kombëtare nëpërmjet modernizimit të stilit kinez.
Foto nga Xinhua
Rreth orës 10 të paradites, Xi Jinping dhe liderë të tjerë të Partisë arritën në sallën veriore të Pallatit të Popullit, ku përshëndetën ngrohtësisht përfaqësuesit dhe bënë një fotografi së bashku. Xi mbajti një fjalim të rëndësishëm.
"Më 25 qershor të këtij viti, 'Chang'e-6 përfundoi me sukses misionin e vet dhe u kthye në Tokë. Unë dërgova një mesazh urimi. Sot, unë dhe shokët e tjerë të Komitetit Qendror takohemi me ju në emër të Komitetit Qendror të Partisë e ju shprehim përsëri urimet më të ngrohta dhe përshëndetjet e sinqerta!" tha Xi.
Foto nga Xinhua
Xi vuri në dukje se misioni "Chang'e-6" realizoi për herë të parë në historinë e njerëzimit marrjen e mostrave nga ana e pasme e Hënës, duke pasur arritje në një sërë teknologjish kyçe. Kjo është një tjetër arritje e rëndësishme për shndërrimin e Kinës në një fuqi hapësinore e shkencore, si dhe përbën një moment historik për projektin e eksplorimit hënor të Kinës. Gjatë 20 vjetëve të fundit, ky projekt ka shënuar përparime të mëdha në fusha të tilla si zbulimet shkencore, risitë teknologjike, zbatimi inxhinierik, transformimi i rezultateve dhe bashkëpunimi ndërkombëtar, duke ndjekur një rrugë me cilësi e efikasitet të lartë për eksplorimin e Hënës. Këto arritje kanë dhënë kontribute të rëndësishme për zhvillimin e industrisë hapësinore të Kinës dhe për eksplorimin e hapësirës nga njerëzimi.
Foto nga Xinhua
Xi theksoi më tej se eksplorimi i universit dhe shndërrimi në një fuqi hapësinore është ëndrra që ndjek Kina pa pushim. Që nga themelimi i Republikës Popullore të Kinës 75 vjet më parë, nën udhëheqjen e PKK-së, breza ekspertësh hapësinorë kanë ndjekur një rrugë të pavarur dhe inovative, duke zhvilluar industrinë hapësinore nga asgjëja, nga dobësia te fuqia dhe nga ëndërrimi te realizimi i suksesshëm i ëndrrës, duke bërë hapa të rëndësishëm drejt shndërrimit të Kinës në një fuqi hapësinore.
Xi tha se hapësira është territori i përbashkët i njerëzimit dhe eksplorimi i saj është kauza e përbashkët e njerëzimit. Projekti kinez i eksplorimit të Hënës ka ndjekur gjithmonë parimet e barazisë, përdorimit paqësor dhe bashkëpunimit me përfitime të ndërsjella. "Chang'e" nuk është vetëm i Kinës, por i gjithë njerëzimit, duke ofruar një platformë të gjerë për bashkëpunimin shkencor ndërkombëtar dhe duke kontribuuar me mençurinë e fuqinë kineze në eksplorimin global të hapësirës së thellë. "Ne duhet të vazhdojmë të mbajmë një qëndrim të hapur, të nxisim forma të ndryshme të bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e hapësirës, të ndajmë rezultatet e zhvillimit me vendet e tjera dhe të përmirësojmë qeverisjen e hapësirës, në mënyrë që përfitimet e teknologjisë hapësinore t'i shërbejnë më mirë njerëzimit," tha presidenti kinez.
Xi theksoi më tej se eksplorimi i hapësirës nuk ka fund dhe shprehu shpresën që ekspertët në vijën e parë të industrisë hapësinore të vazhdojnë të punojnë me përkushtim për të kryer me kujdes kërkimin shkencor mbi mostrat e Hënës, të zbatojnë projekte të rëndësishme, si eksplorimi i hapësirës së thellë, dhe të promovojnë zhvillimin e plotë të shkencës, teknologjisë e aplikimeve hapësinore. Ai i nxiti ata të japin kontribut të ri në shndërrimin e Kinës në një fuqi të madhe hapësinore.
Foto nga Xinhua
Më pas, Xi Jinping-u dhe liderët e tjerë shkuan në sallën lindore të Pallatit të Madh të Popullit për të parë mostrat e Hënës dhe për të vizituar ekspozitën "Nëntë Qiejt: 20 Vjet të Projektit të Eksplorimit Hënor".
Zbatimi i projektit të eksplorimit të Hënës është një vendim strategjik i rëndësishëm i marrë nga Komiteti Qendror i PKK-së për të kapur prirjen e zhvillimit ekonomik dhe teknologjik të Kinës. Si misioni më i përparuar teknologjik në historinë e industrisë hapësinore të Kinës, "Chang'e-6" realizoi për herë të parë në historinë e njerëzimit marrjen dhe sjelljen e mostrave nga ana e pasme e Hënës, duke vendosur një bazë të fortë për eksplorimin e ardhshëm të Hënës e të planeteve nga Kina.