Buxheti (Foto Reporteri)
Rishikimi i buxhetit për vitin 2024 i bërë së fundmi nga qeveria ka në fokus kryesor reflektimin në buxhetin vjetor të disa rishikimeve jo vetëm në zërin e të ardhurave, por edhe të shpenzimeve buxhetore. Detajet janë dhënë nga Ministri i Financave Petrit Malaj, ku theksohen edhe investimet shtesë në sektorët prioritarë.
“Në nisje të fjalës sime, më lejoni të shpreh se si Ministër i Financave do angazhohem për të nxitur më tej frymën e bashkëpunimit, në dobi të hartimit të ligjeve që do të kenë si qëllim primar progresin ekonomik të vendit dhe rritjen e mirëqenies sociale në vend. Këtij qëllimi i shërben edhe Akti Normativ për Buxhetin e Shtetit, të cilin e sjellim sot për diskutim dhe miratim. Përpara sesa të ndalem në mënyrë më të detajuar në lidhje me ndryshimet që parashikojmë të realizojmë, më lejoni të bëj një prezantim të shkurtër të treguesve kryesorë makroekonomikë.” u shpreh ministri.
Ministri thotë se ekonomia shqiptare ka performuar në linjë me projeksionet e Ministrisë së Financave.
“Për vitin 2024 dhe aktualisht parashikojmë një rritje reale prej 3.7% deri në fund të vitit, ndërkohë që Prodhimi i Brendshëm Bruto për tremujorin e parë të vitit 2024 është rritur ose rezultoi në 3.6%. Një nga komponentët kryesorë që kontribuon në këtë zhvillim ekonomik është rritja e turizmit. Rishikimi i buxhetit për vitin 2024, të cilin qeveria e miratoi në datën 28 gusht në formën e një Akti Normativ, ka në fokus kryesor reflektimin në buxhetin vjetor të disa rishikimeve jo vetëm në zërin e të ardhurave, por edhe të shpenzimeve buxhetore, të cilat synojnë përmirësimin e parametrave të ekzekutimit të buxhetit 2024, në drejtim të përditësimit të projeksioneve të treguesve të konsoliduar për periudhën 2024-2026.”
Petrit-Malaj (Foto Keshilli i Ministrave)
Ministri Petrit Malaj ndalet edhe në shifra se sa synohet rritja e të ardhurave.
“Më konkretisht, ky akt siguron rritjen me rreth 27.3 miliardë lekë të të ardhurave buxhetore, ku vetëm ato të ardhura tatimore rriten me 19.2 miliardë lekë, rritjen në të njëjtën masë, me 27.3 miliardë lekë, të shpenzimeve buxhetore, dhe natyrisht duke ruajtur të pandryshuar të deficitit buxhetor në vlerën 57.3 miliardë lekë. Disa nga çështjet emergjente që adresohen përmes këtij Akti Normativ lidhen së pari me nevojën për të shtyrë përpara investime të rëndësishme në infrastrukturë, bujqësi, arsim e shëndetësi. Ky akt normativ natyrisht nevojën për zbatimin në kohë të Kodit të ri Zgjedhor, ku elementi që financohet me këtë Akt Normativ ka të bëjë regjistrimin e zgjedhësve jashtë Republikës së Shqipërisë. “
Akti normative reflekton edhe mbështetjen në bujqësi.
“Gjithashtu, ky Akt Normativ adreson dhe nevojën për të nxitur më tej sektorin e bujqësisë, dhe nga ana tjetër, nëpërmjet këtij Akti Normativ, ne si Ministri e Financave përpiqemi të akomodojmë nevojat shtesë të Ministrisë së Brendshme, të cilat lidhen qoftë me pjesën e kompensimit ushqimor të punonjësve të policisë, por edhe me orët shtesë që ata kanë kryer gjatë sezonit turistik. “
Nuk lihet pas sistemi ujitje kullim.
“Nëpërmjet këtij Akti Normativ kemi shtesë financimesh në masën 900 milionë lekë për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, përkatësisht 500 milionë lekë shkojnë drejtpërdrejt si mbështetje për fermerët për implementimin e skemës së re të mbështetjes/grand për investime, gjithashtu kemi edhe 400 milionë lekë për projektet e reja që lidhen kryesisht me investime në sektorin e ujitje-kullimit. Bujqësia në vitin 2024 financohet me rreth 3 herë më shumë fonde në krahasim me vitin 2013. Ndër të tjera nëpërmjet këtij Akti Normativ parashikojmë të injektojmë më shumë fonde në infrastrukturë, rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve, siguri dhe mbrojtje. Me këtë Akt Normativ kemi rritur financimin shtesë në masën 5 miliardë lekë për projekte të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, të cilat konsistojnë në projekte të reja në programe zhvillimi, të infrastrukturës vendore dhe rajonale, si dhe për programin 100 fshatrat.”
Ekonomia(Foto shqiptarja.com)
Shtesë fondesh ka edhe për Ministrinë e Arsimit.
“Akti Normativ synon ndryshime edhe në kahun e shpenzimeve, duke alokuar më shumë financime në sektorët më prioritarë. Kemi shtesë fondesh në masën 450 milionë lekë për Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve që lidhen kryesisht me shpenzimet e personelit si rezultat i rritjes së pagave në këtë sektor, si dhe financimin e projekteve komunitare apo shpërblimin e sportistëve elitarë të vendit. Në vitin 2024 ne alokojmë rreth 78.9 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2013 kjo shifër ishte vetëm rreth 44.1 miliardë lekë. Gjithashtu kemi financim shtesë në masën 250 milionë lekë për projekte të reja në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me qëllim financimin e projekteve të investimeve për ndërtimin apo rikonstruksion e spitaleve dhe qendrave shëndetësore në rang vendi. Sot ne alokojmë 72.2 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2013 kjo shifër ishte vetëm 35.4 miliardë lekë. Po ashtu sa i përket shpenzimeve për mbrojtjen sociale, Shqipëria në Rajon renditet ndër vendet me përqindjen më lartë kundrejt totalit të shpenzimeve publike.”-tha Malaj.
Sipas Malajt, me rishikimin e fundit është rritur financimi për projektet e reja të Transportit Rrugor, një financim shtesë rreth 4.75 miliardë lekë për projektet që lidhen me rrugët Elbasan-Lekaj, Fier-Kthesa Patos-Frataj dhe Berdicë-Unaza Lindore.