Poetja Trendafile Molla (Foto personale)
Trëndafile Molla prej 29 vitesh jeton me familjen në Novara të Italisë, ku në vitin 2000-2001 ka mbaruar konkursin interkomunal në shëndetësi. Ajo që në fëmijëri ka qenë e pasionuar pas krijimtarisë letrare. Ka marrë pjesë në disa aktivitete poetike, ku është vlerësuar me çmime. Gjithashtu është vlerësuar për krijimtarinë e saj edhe jashtë kufijve të Shqipërisë, ku shquhet për pjesëmarrje dhe organizime të takimeve kushtuar librit. Trëndafile Molla i qaset atdheut me mallin dhe dashurinë e mërgimtarit, duke u bërë zë i shqiptarëve që kanë emigruar jashtë vendit 30 vitet e fundit. Në intervistë për Radio Ejani ajo flet për jetën në emigracion, aktivitetin e saj letrar si dhe organizimet përmes shoqatës që drejton.
Librat e botuar te autores Trendafile Molla (Foto personale)
CMG: Prej sa vitesh jeton në Itali dhe si je integruar atje?
Trëndafile Molla: Unë kam ardhë në Itali në vitin 1996, gati 29 vite në emigracion. Unë me bashkëshortin ndoqëm familjen, sepse punonim në ushtri dhe reformat ushtarake bënë punën e vet. Më përpara erdhi në Itali bashkëshorti, dhe unë ndoqa atë dhe familjen. Këtu ju nënshtruam kushteve, punës me dinjitet, duke respektuar rregullat, ligjin dhe drejtësinë. Kështu u integruam dhe bëmë një jetë normale, siç e bëjnë dhe vendasit këtu në Novara.
CMG: Cili është angazhimi juaj me punë në Novara?
Trëndafile Molla: Duke qenë se bashkëshorti ishte një ish-ushtarak dhe shef shëndetësie në brigadën e Manzës, ai hapi një komunitet me të sëmurë psiqikë dhe këtu kemi punuar të dy bashkë. Unë ndoqa disa kurse, mora një diplomë që njihet jo vetëm për punësim në Itali, por dhe në komunitetin europian.
Poetja Trendafile Molla (Foto personale)
CMG: Sa i organizuar është komuniteti shqiptar në Itali, kryesisht në raste festash kombëtare?
Trëndafile Molla: Ne kemi një komunitet unik, nderojmë e respektojmë simbolet tona kombëtare, sidomos festat e çlirimit dhe pavarësisë. Gjithashtu festën e ABC-së të Manastirit. Kemi dy vjet që kemi hapur shoqatën tonë, kemi pasur një ecuri të mirë dhe pse kemi pasur shumë pengesa, por ecim normalisht.
CMG: Flasim për jetën tuaj letrare dhe pasionin për të shkruar poezi. Kur ke nisur të shkruash?
Trëndafile Molla: Unë qëkur isha fëmijë u dallova si një nxënëse me prirje letrare, dhe lexoja shumë, më pëlqente letërsia dhe vargjet. Hartimet i bëja shumë bukur, në atë tabelën që ishte atëhere në shkollë vendosej hartimi më i bukur ose vargjet më të mira të nxënësve. Këto më nxitën që të vazhdoja krijimtarinë time dhe mos ta ndalja shkrimin tim. Kudo që isha unë rrija me një fletore dhe laps në dorë. Madje sot shoqet ma kujtojnë si studentja me një fletore dhe laps në dorë.
Trendafile Molla gjate nje aktiviteti (Foto personale)
CMG: Cila është tematika në krijimtarinë tuaj letrare?
Trëndafile Molla: Tematika e krijimtarisë time letrare është dashuria për familjen dhe vendlindjen, atdheun tim që është mbi të gjitha dashuritë.
CMG: Sa libra ke botuar deri tani?
Trëndafile Molla: Para pak kohësh kam botuar librin e 11 si autore. Pastaj kam marrë pjesë në 38 antologji poetike. Libri i radhës titullohet “Shpirti i etur në mërgim”, një libër dedikuar atdheut tim. Ka dhe poezi të ndryshme, por 80 për qind e librit është me vargjet për Shqipërinë, sepse doli në kuadrin e 80 vjetorit të çlirimit të atdheut.
CMG: Si janë pritur botimet tuaja nga kritika letrare dhe lexuesit?
Trëndafile Molla: Kur bëra 60 vjetorin tim më blenë dhuratë një kompjuter dhe bashkëshorti më tha se të gjitha shkrimet që kisha nëpër fletore duhet t’i hidhja në kompjuter. Kur nisa të botoj librin e parë isha pak si me ndroje, por botimi i parë u prit mirë. Duke parë që ky libër u prit mirë dhe më mbështetën, nuk u ndala.
Trendafile Molla gjate promovimit te librit te saj (Foto personale)
CMG: I ke promovuar librat në atdhe?
Trëndafile Molla: Unë asnjë libër nuk promovoj jashtë atdheut. Të gjithë librat e mi janë promovuar në qytetin tim të Durrësit, në Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës dhe në vatrën e qytetit të bukur të Matit. Aty në klubin letrar “Pjetër Budi” në Mat, ku dhe reçensent i librave të mi është kryetari i lidhjes “Pjetër Budi”, Hamdi Hysuka.
CMG: Si i mban lidhjet me vendlindjen tani që jeton larg saj ?
Trëndafile Molla: Asnjëherë nuk kam qenë larg atdheut tim, jo vetëm me shpirt e me zemër, por shpesheherë kur mërzitesha këtu dhe më merrte malli për atdheun, vajzat më prisnin biletën për të shkuar në Shqipëri. Kështu që unë mund të jem e vetmja emigrante që kam ardhur 4-5 herë në vit në atdheun tim. Nuk e pranoj dot largimin nga atdheu, larg shtëpisë, vendlindjes, kujtimeve të mia dhe shoqërisë.
Trendafile Molla me aktoren e njohur Margarita Xhepa (Foto personale)
CMG: Si ndjehesh për arritjet në fuëshën e letërsisë, ku tashmë je në 38 antologji brenda dhe jashtë vendit?
Trëndafile Molla: Unë ndjehem e plotësuar në fushën e letërsisë sepse duke kërkuar poezitë e mia, njerëzit diçka kanë pëlqyer në vargjet e mia. Kështu që ndjehem e lumtur në këtë drejtim. Shkrimi asnjëherë nuk ka fund, por unë do të vazhdoj me punën time këmbëngulëse të shkruaj akoma. Janë 38 antologji, pa përmendur antologjinë e bashkimit të shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë këtu në Novara.
CMG: Si kryetare e njërës prej shoqatave që vepron në Itali, cilat kanë qenë dhe do të jenë në vazhdim aktivitetet e kësaj shoqate?
Trëndafile Molla: Në Novara kemi shumë intelektualë shqiptarë, jo vetëm shkrimtarë e poetë, por dhe piktorë, skulptorë e muzikantë. Shpeshherë mendonim për krijimin e një shoqate të vogël, që të ishte degë e lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Italisë, të punonim dhe promovonim vlerat tona secili nga artistët. Para dy vitesh u mblodhëm për të diskutuar dhe në atë moment e vendosëm të krijonim këtë shoqatë, bashkimin e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë “Zëri i mërgimtarit” në Novara. Përmes shoqatës ne promovojmë në vend të huaj vlerat tona, si gjuhën shqipe, datat tona historike, duke ua lënë dhe si mesazh për brezat që do vijnë, ata që kanë lindur apo kanë ardhur fëmijë këtu në Itali, por nuk e njohin shumë mirë historinë e vendit tonë. Kjo mori përmasa ndërkombëtare, ku “Zëri i mërgimtarit” bëri jehonë të madhe dhe mu përgjigjën të gjithë shkrimtarët, poetët nga e gjithë bota, siç janë Petraq Risto, e deri në Greqi Dhimitër Nica. Gjithashtu antologjia e dytë që doli në prag të 80 vjetorit të çlirimit të atdheut “Shqipëri zemra jonë”, ka një rritje të autorëve nga të gjitha trojet shqiptare. Janë 79 poetë e poetesha që morën pjesë. Dua të falenderoj reçensentin Ndue Deda, redaktorin Hamdi Hysuka, kryetarin e klubit të shkrimtarëve në Vlorë Myrteza Mara, që e hap këtë antologji me titullin “Te dheu im”, por dhe shumë autorë të tjerë që janë në këtë antologji, si profesor Shyqyri Galica, Eda Miri, Robert Shkurti, Sherife Thaçin e shumë të tjerë.
Trendafile Molla ne nje event (Foto personale)
CMG: Shoqata juaj do të organizojë një aktivitet në muajin nëntor në Novara. Kush do të jenë të ftuar në këtë aktivitet?
Trëndafile Molla: Është i katërti aktivitet që do të zhvillojmë me 24 nëntor në qytetin e Novarës, me mbështetjen e sektorit të kulturës të Komunës së Novarës. Kjo shoqatë prej dy vitesh ka ecur në rrugë të mbarë dhe do të vazhdojmë të ecim më shumë në vazhdim. Dëshiroj të falenderoj të gjithë shoqatat që më kanë mbështetur në rrugëtimin e kësaj shoqate, dhe këtij bashkimi të shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë. Ftoj të gjithë poetët që bëjnë pjesë në antologji, që brenda mundësive të marrin pjesë në këtë aktivitet në Novara.
CMG: Faleminderit për intervistën dhe suksese në vazhdim.
Trëndafile Molla: Faleminderit ju dhe Radio Ejani për këtë intervistë të çmuar, ku vlerësohen vlerat tona brenda dhe jashtë vendit.
Intervistoi: Gazmend Agaj
Trendafile Molla me ish ushtarakun Agim Lika (Foto personale)