Shpëtohen qindra emigrantë pranë ishujve Kanarie
2024-09-22 15:30:15

Emigrante (Foto Atsh)

Emigrante (Foto Atsh)

 

Anijet spanjolle të shpëtimit detar gjetën rreth 500 emigrantë nga Afrika pranë Ishujve Kanarie.

Më shumë se 300 persona u morën në bordin e anijes së kërkim-shpëtimit “Guardamar Calliope” dhe u dërguan në qytetin port të La Restinga në skajin jugor të ishullit El Hierro, shkroi Shërbimi i Shpëtimit Detar të Spanjës në “X”, citon “ATSH”.

Në të njëjtën kohë, katër varka të tjera shpëtuan njerëzit e mbetur dhe i çuan në ishujt Kanarie të La Gomera dhe Lanzarote.

Ditët e fundit, qindra emigrantë kanë arritur në arkipelagun spanjoll në brigjet perëndimore të Afrikës me varka të vogla prej druri, shpesh të tejmbushura.

Sipas Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), thuajse 27.000 emigrantë kanë mbërritur në ishujt Kanarie nga Afrika midis janarit dhe mesit të shtatorit të këtij viti.  (Irma)