Georgia bëhet shteti i parë amerikan që miraton numërimin manual të votave për zgjedhjet e nëntorit
2024-09-22 11:40:28

 Votimi ne Georgia (Foto Rtsh)

Numërimi manual i votave është vendimi më i fundit në një sërë ndryshimesh të miratuara muajt e fundit nga një shumicë konservatore që mbështet ish-presidentin Donald Trump në Komisionin Zgjedhor të Georgias në SHBA, shkruan “RTSH”.

Zyrtarët thonë se po përpiqen t'i bëjnë zgjedhjet e 5 nëntorit më të sigurta.

Por, grupet për të drejtën e votës thonë se ndryshimet mund të lejojnë anëtarët e bordit zgjedhor të vonojnë ose kundërshtojnë certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve, duke e çuar procesin drejt kaosit në këtë shtet.

Georgia është një nga shtatë shtetet që mund të përcaktojë fatin e garës mes kandidatit republikan për president Donald Trump dhe rivales së tij demokrate Kamala Harris.

Në zgjedhjet e vitit 2020, Trump e humbi Georgian me më pak se 12 mijë vota krahasuar me kundërshtarin demokrat Joe Biden. 

Numërimi manual i votave, që u miratua falë një votimi 3 me 2 në Komisionin Zgjedhor të këtij shteti, u denoncua nga administratorët e zgjedhjeve dhe punonjësit zgjedhorë, që morën pjesë në takim, si dhe u kundërshtua nga sekretari i Shtetit të Georgias dhe Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm.

Me këtë vendim Georgia bëhet i vetmi shtet në SHBA që zbaton një proces numërimi të tillë. (Irma)