Von der Leyen-Zelensky (Foto Panorama)
Bashkimi Europian premton t’i japë Ukrainës deri në 39 miliardë euro si pjesë e një kredie të organizuar nga G7-a, për të ndihmuar vendin të rindërtojë ekonominë dhe rrjetin energjetik të shkatërruar nga konflikti.
Udhëheqësit e G7-s ranë dakord në qershor për të krijuar një hua prej 50 miliardë dollarësh për të ndihmuar Ukrainën në përpjekjet për mbijetesë, shkruan “Panorama”.
Interesi i fituar nga pasuritë e bllokuara të Bankës Qendrore të Rusisë do të përdoren si kolateral, por përparimi në shpërndarjen e kredive ka qenë i ngadaltë.
“Ne duhet ta detyrojmë Rusinë të paguajë për shkatërrimin që shkaktoi”,- deklaroi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në një konferencë shtypi në Kiev me presidentin ukrainas, Vlodymyr Zelensky.
Foto nga VCG
Ajo theksoi se BE-ja tashmë i ka dhënë Ukrainës më shumë se 118 miliardë euro ndihmë ushtarake dhe ekonomike, që nga nisja e konfliktit, por sulmet e vazhdueshme nënkuptojnë se mbështetja e mëtejshme është e nevojshme.
“Kjo kredi do të kalojë drejtpërdrejt në buxhetin kombëtar ukrainas. Kjo do të përmirësojë stabilitetin makro-financiar të Ukrainës dhe do të ofrojë hapësirë fiskale të rëndësishme dhe shumë të nevojshme. Ju do të vendosni se si t’i përdorni më mirë fondet, duke ju dhënë fleksibilitet maksimal për të përmbushur nevojat tuaja”,- tha von der Leyen.
Kreditë do të dërgohen nga fitimet e siguruara nga pasuritë e bllokuara ruse. Këto pasuri, me vlerë prej gati 300 miliardë dollarësh, u bllokuan për shkak të agresionit në Ukrainë. Shumica dërrmuese e këtyre fondeve mbahen në vendet e BE-së, veçanërisht në Belgjikë.
Foto nga VCG
Presidenti Zelensky tha se prioritetet e tij janë rindërtimi i rrjetit energjetik të Ukrainës, ngritja e më shumë strehimoreve, përmirësimi i shkollave dhe blerja e më shumë armëve dhe municioneve. (Irma)