Dhjetëra të rinj pjesë e programit të praktikave të punës në institucionet e Bujqësisë
2024-09-22 11:12:45

Ministrja Denaj (Foto Atsh)

Ministrja Denaj (Foto Atsh)

50 të rinj janë bërë pjesë e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës pranë institucioneve të Bujqësisë.

Në takimin e zhvilluar me ta, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, diskutoi mbi zgjedhjen e tyre për të zhvilluar praktikën 3-mujore në sektorin e bujqësisë.

“Mirëpresim 50 të rinj nga Programi Kombëtar i Praktikave të Punës, 17 prej të cilëve në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe 33 në institucionet e varësisë”,- deklaroi ministrja Denaj, citon “ATSH”.

Ajo i këshilloi ata që gjatë kësaj periudhe të japin maksimumin e tyre për të fituar përvojë praktike duke aplikuar njohuritë teorike që kanë fituar në universitet.

Denaj theksoi se praktika 3-mujore, e njohur si periudhë pune nga Drejtoria e Administratës Publike, u lehtëson të rinjve tranzicionin nga bankat e shkollës në tregun e punës, duke u krijuar mundësinë e punësimit me kontratë 1-vjeçare, në rast vlerësimi me pikë maksimale dhe në varësi të nevojave të institucioneve pritëse. (Irma)