Porti i Durrësit, projekt për panele fotovoltaike për gjenerimin e energjisë së rinovueshme
2024-09-22 10:39:03

Investimi per portin e Durresit (Foto Atsh)

Në Trieste të Italisë u zhvillua takimi i tretë i Komitetit Drejtues për projektin “RenewPort”, si dhe takimi hapës i projektit “Adrirec”.

Në këto dy takime morën pjesë të gjithë partnerët e të dy projekteve, ku Autoriteti Portual Durrës u përfaqësua nga 4 anëtarët teknikë të grupit të punës, Vegim Hoti, Rafaelo Rexho, Julian Xhelilaj dhe Ardit Omeri.

Një ndër pikat e agjendave të takimeve ishte edhe prezantimi i planeve të investimit të Portit të Durrësit, të cilat kanë të bëjnë me instalimin e paneleve fotovoltaike për gjenerimin e energjisë së rinovueshme, shkruan “ATSH”.

“RenewPort”, financuar nga “Interreg Euro Med Programme”, ka si objektiv kryesor lehtësimin e tranzicionit energjetik të porteve në rajonin e Mesdheut, nëpërmjet shfrytëzimit të mundësive të reja për prodhimin e energjisë dhe uljen e dekabornizimit.

Porti i Durrësit në këtë projekt parashikon një plan investimi në funksion të implementimit të sistemit të paneleve fotovoltaike në tarracat e ndërtesave administrative, me një sipërfaqe totale prej 2141 m2.

Projekti “Adrirec”, financuar nga “Interreg IPA Adrion Programme”, ka të bëjë me shfrytëzimin e potencialit të energjisë së rinovueshme. Investimet në këtë drejtim do të reduktojnë kostot e faturimit nga Distributori Kombëtar i Energjisë, si dhe do të reduktojnë ndikimin mjedisor të përdorimit të energjisë nga burimet fosile. (Irma)