Policia Bashkiake e Tiranës certifikohet nga gjermanët e “DEKRA”-s për sigurinë në qytet
2024-09-22 15:27:38

Veliaj (Foto Atsh)

Veliaj (Foto Atsh)

 

Kompania gjermane e certifikimit të standardeve të shërbimit “DEKRA” ka vlerësuar me certifikatën “ISO-9001” punën e Policisë Bashkiake të Tiranës, duke u bërë kështu trupa e parë e policisë në Shqipëri që merr këtë lloj vlerësimi.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi se ky është një vlerësim i jashtëzakonshëm për Policinë Bashkiake dhe punën e saj, shkruan “ATSH”.

“E vlerësoj shumë përkushtimin tuaj disamujor për të kontrolluar të gjitha procedurat e më në fund, për të certifikuar Policinë Bashkiake me certifikatën e standardeve ISO-9001 215, si e vetmja polici në Republikën e Shqipërisë me këtë lloj vlerësimi. Më vjen mirë që e dëgjova edhe në fjalimin tuaj se jeni ndjerë i sigurt në Tiranë. Është një lajm që e ndajnë, deri tani për ketë vit, edhe nga 9 milionë turistë që kanë vizituar qytetin tonë. Sot, Tirana, kur vjen puna për rastet e krimeve të vogla, ka numrin më të ulët në rajonin tonë dhe Evropën Jugore”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku tha se aleati i Policisë Bashkiake sot janë vetëm qytetarët.

Drejtori i menaxhimit të DEKRA-s vlerësoi sigurinë e Tiranës për turistët që kanë vizituar kryeqytetin shqiptar, duke e cilësuar këtë një arritje mjaft domethënëse.

“Ju jeni një vend i bukur. Ju meritoni të jeni pjesë e Bashkimit Europian. Do të njoftoj kontributin e kryebashkiakut Erion Veliaj dhe ekipit të tij se ata e njohin rëndësinë e këtij procesi, në rrugëtimin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Kjo do të thotë të arrish standarde. Standarde që në fund duhet të jenë rezultat i një jetese më të mirë në Shqipëri. Gjithashtu detyra juaj është të kontribuoni për sigurinë e të gjithë mysafirëve që vijnë nga jashtë dhe qytetarëve të qytetit të Tiranës. Nëse keni bërë kërkime në internet, do të zbuloni se rezultatet për kënaqësinë e turistëve janë shumë të larta. Sa i përket sigurisë në Tiranë, ajo është në krye”,- deklaroi ai.

Pak ditë më parë, kompania gjermane “DEKRA” vlerësoi me certifikatën “ISO-9001” edhe punën e aparatit qendror të Bashkisë së Tiranës.

“DEKRA” është një nga organizatat kryesore të ekspertëve në botë, me shërbim të kualifikuar dhe të pavarur, e cila punon për sigurinë në mbi 50 vende. (Irma)