Sonja Likaj, pas këngës së parë si kantauore, në duet me Algert Salën
2024-09-22 09:36:27


SONJA gjate xhirimeve te videoklipit (Foto personale)

Sonja Likaj është një këngëtare e re 20 vjeçare nga qyteti i Laçit.  Pasioni i saj për muzikën ka nisur që kur ajo ka qenë e vogël, kur këndonte nëpër shtëpi dhe prindërit ishin spektatorët e parë. Iniciator që ajo të futej në rrugën e artit ka qenë mësuesi i muzikës Elvis Lleshi, i cili dalloi talentin e saj për të kënduar. Më pas ai e angazhoi në çdo aktivitet që zhvillohej në shkollë dhe  në koncerte në qytetin e saj të lindjes. Dy vite më parë ajo erdhi në Tiranë  për të kryer studimet, por edhe të ndiqte pasionin e saj për muzikën, ku u angazhua me studio muzikore dhe producentë  të mirëfilltë. Hera e parë që Sonja  u shfaq në publik si këngëtare ka qenë  kur u bë pjesë e një kompeticionin që zhvillohej nga Eli G Senaj dhe Klaudia tek ‘Moon studio’, mundësi kjo për të promovuar artistë të rinj, ku mori pjesë me  këngën “Aman” të shkruar e kompozuar nga vetë ajo. Me këtë material muzikor u prit mirë nga  publiku, duke shënuar një nismë të mbarë në muzikë. Vijoi të punonte materiale të reja, duke shkruar dhe shpalosur historitë e rrethit të saj shoqëror.

Më pas i erdhi një ftesë nga këngëtari Algert Sala, i cili i prezantoi projektin që e kishte menduar për një duet për këngën “Hedh pas”.  Producenti Kejdi ka punuar shumë që kënga të dilte vërtetë një hit. Kënga u realizua edhe me  videoklip, ku vihet re koreografia e punuar me mjeshtëri nga ‘Dreams House Dance Academy’ me ne krye Anxhel dhe Eneo Goga. Pas këtij suksesi ajo po punon për të sjellë materiale të tjera muzikore për publikun, duke dhuruar muzikë të bukur. Paralelisht me angazhimet muzikore, Sonja ndjek studimet në degën Menaxhim Biznesi, por po punon shumë fort edhe me muzikën, ku pritet që së shpejti të sjellë materiale të reja muzikore, si edhe të jetë pjesë e një kompeticioni të njohur në Shqipëri. 

 

Këngëtarja Sonja Likaj në intervistë për Radio Ejani

CMG: Sonja, ke ardhur së fundi në një duet me këngëtarin Algert Sala. Na trego për këtë bashkëpunim dhe për këngën “Hedh pas”

Sonja Likaj: Me këngëtarin Algert Sala jam njohur në kompeticionin ku mora pjesë, kur regjistrova këngën time  të parë “Aman”. Më pas Algerti më kontaktoi që të bashkëpunonim për këngën “Hedh pas”, pasi mendoi se kjo këngë më përshtatej.  E pranova menjëherë ftesën sepse e njihja si artist që është profesionist. Më pas shkuam në studio, e regjistruam dhe gjithçka shkoi mirë. Kënga është pritur shumë mirë, është një këngë e thjeshtë, me ritëm, profesionale dhe besoj se kemi bërë një punë të bukur.  

CMG: Për çfarë flet kjo këngë?

Sonja Likaj: Kënga “Hedh pas” flet për një dashuri që nuk ka më ndjenja, pasi kanë mbetur pas të gjitha. Të dy personat që ishin në një lidhje, kanë vazhduar një jetë të re, pa e kthyer më kokën pas. Është mirë që të hedhësh pas një fiksim që ka mbajtur emrin ‘dashuri’, por që në të vërtetë nuk ka qenë e tillë. Kënga është punuar nga Algerti, me producentin KedBeats. Alegerti është një artist që kërkonte perfeksionin në këtë këngë dhe rrinte në studio me orë të tëra deri sa të dilte versioni që ai kërkonte. 

CMG: Sa kohë t’u desh të merreshe me këtë këngë?

Sonja Likaj: Mu desh një muaj që të punoja në studio për këtë këngë. Më pas menduam që ta shoqëronim këngën me një videoklip, ku na duhet të punonim edhe për koreografinë. Me ne kanë punuar ‘Dreams House Dance Academy’ me në krye Anxhel Goga dhe Eneo Goga, të cilët ishin mjaft të talentuar, profesionist, dhe kanë punuar shumë me ne, deri në momentin final kur u publikua kjo këngë.

SONJA ne xhirimet e videoklipit  (Foto personale)

CMG: Sonja, kjo këngë me Algertin nuk është e para, pasi një vit më parë solle për një publik të zgjeruar këngën “Aman”. Si nisi rrugëtimi yt artistik?

Sonja Likaj: Unë me këngë jam marrë edhe përpara se të publikoja një këngë time. Ishte momenti kur unë doja të hidhja një hap më tej dhe erdhi momenti kur unë dëgjova se do të mbahej një kompeticioni që po organizonte Fullmoon Production, ku rregulli kryesor ishte, që të kishe një këngë të shkruar vetë si teksti dhe muzika. Me këtë këngë jam marrë vetë personalisht që nga fillimi e deri në fund, por më ka ndihmuar shumë edhe Dj Genti i Follmoon Production. Dhe kjo këngë dukej shumë e mirë për tu përfaqësuar në publik.

CMG: Si është të dalësh për herë të parë në pulik dhe mbi të gjitha të prezantohesh si kantautore, me gjithçka të krijuar vetë?

Sonja Likaj: Është shumë emocionuese, ndjehesha krenare për veten që e nisa karrierën në publik me një material të krijuar nga unë personalisht. Ndonjëherë krijimi del më mirë kur e realizon vetë se sa nga dikush tjetër.

CMG: Në çfarë moshe nisi  pasioni yt për të shkruar tekste dhe muzikë?

Sonja Likaj: Këtë frymëzim e kam patur që në bankat e shkollës, kur mësuesi jepte leksione, unë në mendje kisha ndonjë tekst kënge ose melodi. Ndërkohë që lexoja shumë libra dhe poezi. Duke shkruar tekste, e shihja që i lidhja shumë mirë rimat, e sa vinte i perfeksionoja. Këtu nisi pasioni, e duke dëgjuar melodi, më përshtateshin fjalët edhe situatat që më ndodhnin mua personalisht, apo të shoqërisë time,gjithçka unë i shprehja në tekste dhe në muzikë. Madje kam shoqe, të cilave jua kam pasqyruar jetën e tyre në këngë, dhe ndjehen mirë kur e dëgjojnë.

SONJA dhe ALGERTI gjate xhirimeve te videoklipit  (Foto personale)

CMG: Më shumë të frymëzon për të krijuar një këngë momentet e bukura apo të vështira të jetës?

Sonja Likaj: Do të gënjeja nëse do të thoja momentet e bukura, pasi momentet e bukura të shijojnë direkt, ndërsa momentet e vështira të bëjnë të shkruash e të shprehesh diku, pra janë ato që lënë gjurmë në jetë. Unë pa muzikë nuk do jetoja, sepse aty shpreh gjithë veten time, kam qetësinë e shpirtit.

CMG: Kthehemi pas në kohë dhe kujtojmë fillimet e tua në muzikë. Të kujtohet kur nise të këndoje për herë të parë dhe kush e  zbuloi talentin tënd?

Sonja Likaj: Unë që e vogël kam kënduar nëpër shtëpi dhe të vetmit që më dëgjonin ishin mami e babi, të cilët e shihnin si një dëshirë të moshës. Dëgjoja këngëtarë të shumtë e mundoja t’i imitoja. Kur nisa shkollën 9-të vjeçare, profesori i muzikës filloi të provonte nxënësit me rradhë se kush kishte zë për muzikë dhe kur më dëgjoi mua, ai e kuptoi se unë kisha talent për muzikë. Më jepte materiale të ndryshme muzikore, të cilat i punoja në shtëpi dhe shkoja të nesër e i këndoja. Elvis Lleshi është mësuesi im i parë që ka besuar tek unë dhe më ka shtyrë që ta vazhdoj talentin e ta përmirësoj gjithmonë e më shumë. E falenderoj shumë për besimin që ka patur tek unë. Ai më bëri pjesë të shumë aktiviteteve në shkollë me projekte muzikore të huaja apo shqiptare

CMG: Po kënga e parë që ke kënduar në atë kohë, a të kujtohet?

Sonja Likaj: Si fëmijë këndoja këngët e Eurovizionit, të fëmijëve dhe ka qenë kënga e kënduar nga Mishela Rrapo “Mama mia”, të cilën e këndova në një evenimet në qytetin e Laçit. Më pas në evente të ndryshme kam kënduar këngë të ndryshme botërore të këngëtareve Adele, Beyonce, etj. Kanë qenë aktivitete të ndryshme si festat e fundvitit, festat e nëntorit, apo dhe konkurse se kush do dilte talenti i rrethit Kurbin.

SONJA (Foto personale)

CMG:  Gjithë kjo dashuri dhe pasion për këngën, përse nuk zgjodhe të studioje për muzikë?

Sonja Likaj: Kjo është një temë për të cilën më pyesin pafundësisht, por e kam një përgjigje për këtë. Kënga është jeta e ime, e cila më bën të lumtur dhe të ndjehem e plotësuar, nga ana tjetër duhet edhe një lloj formimi që është shkolla. Duke qenë se unë këndoj dhe shkruaj muzikë, mendova të vazhdoj  studimet për një degë tjetër, që besoj se do më vlej shumë edhe në të ardhmen time.

CMG: Si e  mendon të ardhmen tënde në muzikë?

Sonja Likaj: Unë mendoj se njeriu për diçka që do të arrijë, ka gjithmonë kohë dhe hapësirë. Unë nuk e shoh si problem, por mundohet që t’i ndjek të dyja pasi janë të rëndësishme për mua si studimet për Menaxhim Biznesi, por edhe muzika. Po i jap momentalisht më shumë vëmendje shkollës deri sa të përfundojë, por pjesën tjetër të kohës sa herë që kam mundësi, mundohem që të merrem me këngën dhe tekstet, pasi muzika do jetë bashkëshoqëuesja ime gjatë gjithë jetës.

CMG: Si e sheh veten pas një dekade në aspektin artistik?

Sonja Likaj: Pas një dekade e shoh veten në një skenë të madhe, duke kënduar këngët e mia dhe mendoj publikun që më shoqëron duke kënduar këngët e mia. Kjo është vërtetë një nga ëndrrat e mia.

CMG: Ku fle më shumë vokali yt, por edhe rryma jote muzikore që të pëlqen më shumë?

Sonja Likaj: Tek baladat, aty jap shpirtin, por edhe zëri im përshtatet më shumë tek baladat. Pavarësisht se unë i këndoj të gjithë rrymat muzikore, ajo që mua pëlqen më së shumti janë baladat.

CMG: Cilat janë planet e tua më të afërta dhe a pret të marrësh pjesë në ndonjë festival?

Sonja Likaj: Jam duke përgatitur një këngë për një festival që do të jetë së shpejti, shpresoj që ta arrij në kohë për ta realizuar. Kam edhe shumë projekte të tjera të cilat pres t’i publikoj njëra pas tjetërs, por duan kohën e tyre edhe ato. Ju premtoj se herë pas herë do të vij me diçka të re.

SONJA gjate xhirimeve te videoklipit  (Foto personale)

CMG: Faleminderit për intervistën dhe uroj të shkëlqesh aty ku ti dëshiron!

Sonja Likaj: Faleminderit për mikpritjen në këtë botë të artit! Shpresoj që të ruaj nivelet e një artisteje të thjeshtë, që sjell materiale të bukura, të pastra, të bëra sa më thjeshtë dhe bukur.

Intervistoi: Sava Lena