Ministrja Balluku merr pjesë në takimin e ministrave të Transportit në Budapest
2024-09-22 11:16:12

 Ministrja Balluku (Foto Atsh)

Zëvendëskryeministrja shqiptare, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, mori pjesë në takimin e ministrave të Transportit, në Budapest, organizuar nga qeveria hungareze, si vendi mbajtës i Presidencës së BE-së.

Në një prononcim për mediet, Balluku tha se takimi i ministrave të Transportit rezultoi shumë konstruktiv, pasi u diskutua për çështje të rëndësishme, siç është konkurrenca që krijohet përmes ndërlidhjes së transportit dhe sidomos atij hekurudhor, shkruan “ATSH”.

“Ndava me këtë tryezë të nivelit të lartë shqetësimet që ne kemi për sa i përket financimeve që vijnë nga BE-ja dhe për kohën, që është komponenti më i rëndësishëm për zhvillimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor”,- u shpreh ajo.

Balluku shprehu vlerësim për të gjithë mbështetjen financiare të BE-së që jep përmes projekteve, teksa vuri në dukje kohën e gjatë që merr një projekt për t’u realizuar.

Në prononcimin e saj, ministrja u ndal edhe në projektet e përbashkëta siç është Korridori VIII, apo Korridori X.

“Kemi folur për një sërë projektesh të përbashkëta, siç është Korridori VIII, apo Korridori X, si dhe u diskutua për ecurinë e një nga projekteve tona më të rëndësishme kombëtare, atë që do të lidhë Shkodrën me Gjakovën, hekurudhën e re, që do të bëhet më pas pjesë e Korridorit X, duke i dhënë kështu Shqipërisë dy aksese, në Korridorin VIII përmes Maqedonisë së Veriut dhe në Korridorin X përmes Kosovës”,- nënvizoi Balluku.

Ministrja tha se gjatë takimit është folur edhe për çështje të tjera shumë të rëndësishme për Bashkimin Europian, siç është dekarbonizimi, ku padyshim gjithçka shkon te korrelacioni i përbashkët për një Europë që do të përfshijë të gjitha vendet edhe ato që sot ndodhen në statusin e kandidatit. (Irma)