Balluku (Foto Atsh)
Zëvendëskryeministrja shqiptare, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë ministerialit të Transportit të mbajtur në Budapest, zhvilloi takime dypaleshë me homologët nga rajoni dhe jo vetëm, shkruan “ATSH”.
Ministrja Balluku bëri të ditur se temë e bisedimit ishin projektet e përbashkëta strategjike siç është Korridori VIII, apo edhe projekte të tjera, në dobi të Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Europian në tërësi.
Temë e diskutimit ishte edhe Korridori X, që së bashku me atë VIII janë dy prej projekte të mëdha europiane, pjesë e të cilëve është edhe Shqipëria. Balluku theksoi se Shqipëria ka avancuar ndjeshëm për jetësimin e tyre.
Zv.kryeministrja vuri në dukje se përmes tyre forcohet lidhja, jo vetëm mes vendeve të rajonit, por edhe më gjerë.
Balluku mori pjesë në takimin e ministrave të Transportit, në Budapest, organizuar nga qeveria hungareze, e cila mban Presidencën e radhës të Bashkimit Europian.
Gjatë këtij takimi u diskutua mbi një sërë çështjesh të rëndësishme, duke nisur nga konkurrenca që krijohet përmes ndërlidhjes së transportit, veçanërisht atij hekurudhor, e ku në këtë pikë mbështetja e BE-së është një element i rëndësishëm. (Irma)