Tirana shndërrohet në kryeqendrën e baletit të niveleve ndërkombëtare
2024-09-22 15:29:13

Baleti (Foto Atsh)

Baleti (Foto Atsh)

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, deklaroi se Festival i Baletit Bashkëkohor do ta shndërrojë Tiranën, për rreth tre javë, në një kryeqendër të baletit bashkëkohor të niveleve ndërkombëtare, shkruan “ATSH”.

Ministri Gonxhja tha se ky event i rëndësishëm kulturor do të përqendrohet në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, Teatrin Kombëtar, sheshin “Skënderbej” dhe në oborrin e Vilës 31, në kryeqytetin shqiptar.

Koreografi shqiptar me famë botërore, Angjelin Preljocaj, në një konferencë shtypi, ku u prezantua kalendari i aktiviteteve artistike në Shqipëri të “International Dance Festival”, mbështetur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, qeveria shqiptare, dhe Bashkia Tiranë, ndau vizionin e tij mbi artin bashkëkohor, duke sjellë një frymë të re për skenën kulturore shqiptare.

Ky takim u mirëprit nga artistë dhe dashamirës të artit, që e cilësuan si një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të lidhjeve kulturore ndërkombëtare.

“International Dance Festival Tirana” çeli siparin me “Liqenin e Mjellmave”, një klasik magjepsës i cili sjell në skenë elegancën dhe dramën, duke rrëfyer historinë e dashurisë së ndaluar mes Odetës dhe princit Siegfried, mes muzikës së pavdekshme të Tchaikovsky-t. (Irma)