Kryeministri Rama: Shqipëria e së ardhmes do të jetë si Italia
2024-09-21 11:24:45

Rama-Meloni-refugjatet (Foto Sotnews)

Rama-Meloni-refugjatet (Foto Sotnews)

Shqipëria e së ardhmes do të jetë si Italia, deklaroi kryeministri Edi Rama gjatë një interviste për medien italiane “LA7”.

I pyetur mbi raportet me homologen italiane Giorgia Meloni, kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se ajo është një person real dhe i drejtpërdejtë.

“Nuk ka rëndësi nëse i përket të djathës apo të majtës, është kryeministrja e Italisë, një vendi me të cilin Shqipëria është e lidhur përjetë. Për mua ideologjitë kanë vdekur kur ra muri i Berlinit. Kur më pyesin si do të jetë Shqipëria e së ardhmes, dhe ka shumë që mendojnë se do të jemi si Gjermania, unë u them shikoni Italinë”,- u shpreh Rama, citon “RTSH”.

I pyetur për marrëveshjen Shqipëri-Itali për emigrantët dhe koston e projektit, që pritet të kapë vlerën e 800 milionë eurove për një periudhë 5-vjeçare, Rama u shpreh se Shqipëria ka zero kosto.

“Shqipëria nuk ka kosto dhe përgjegjësi ligjore. Shqipëria ka dhënë disponibilitetin për të mirëpritur emigrantët që do t’i sjellë Italia, në një territor me qendra që do ndërtohen nga Italia”, - theksoi kryeministri Rama.

Qendrat e pritjes së emigrantëve pritet të hapen së shpejti. Stafi italian që do të menaxhojë qendrën nga shtatori është udhëzuar që të kenë etikë dhe të bëjnë kujdes me sjelljen e tyre në raport me popullsinë vendase në zonën e kampit. Ndërkohë, Agjencia për Refugjatët e Kombeve të Bashkuara do të monitorojë tre muajt e parë të zbatimit të marrëveshjes. (Irma)