Shqipëri, nis projekti për eliminimin e pajisjeve matëse me mërkur nga sistemi shëndetësor
2024-09-21 12:39:04

Takimi per shendetesine (Foto Atsh)

Takimi per shendetesine (Foto Atsh)

Në Shqipëri ka nisur projekti për eliminimin e pajisjeve matëse me përmbajtje mërkuri në institucionet shëndetësore, financuar nga Fondi Global për Mjedisin (GEF).

Takimi i nisjes së projektit u organizua në Tiranë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP), shkruan “ATSH”.

Në takim morën pjesë edhe përfaqësues nga ministritë përkatëse, spitalet rajonale, shoqatat profesionale, sektori privat dhe shoqëria civile.

Diskutimet u përqendruan në qëllimet e projektit, aktivitetet që do të zhvillohen në Shqipëri dhe mënyrat e zbatimit të tij në kuadër të një plani të përgjithshëm për eliminimin e pajisjeve me mërkur në kujdesin shëndetësor.

Projekti ka për qëllim eliminimin e këtyre pajisjeve dhe Shqipëria, së bashku me Malin e Zi, Indinë, Ugandën dhe Burkina Fason, është një nga pesë vendet e para ku ka nisur të implementohet ky projekt.

Mërkuri, i cilësuar nga OBSH-ja si një nga kimikatet më të rrezikshme për shëndetin publik dhe mjedisin, vazhdon të përdoret në pajisje të tilla si termometrat dhe aparatet matëse të presionit të gjakut.  (Irma)