BE-ja ndan 160 milionë euro për Ukrainën nga pasuritë e bllokuara ruse
2024-09-21 12:08:34

Flamujt e BE-se (Foto Panorama)

Flamujt e BE-se (Foto Panorama)

Bashkimi Europian vendosi të ndajë një ndihmë të re prej 160 milionë eurosh, kryesisht për energjinë. BE-ja vlerëson se rreth gjysma e infrastrukturës energjetike të Ukrainës është shkatërruar nga sulmet ruse, shkruan “Panorama”.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi se shumica e fondeve do të sigurohen nga pasuritë ruse në BE që janë bllokuar për shkak të agresionit në Ukrainë.

“Kjo përfshin 60 milionë euro ndihma humanitare për strehimore dhe ngrohëse, ndër të tjera. Vendimi gjithashtu përfshin rreth 100 milionë euro për riparime dhe energji të rinovueshme. Këto 100 milionë euro vijnë nga pasuritë ruse në Bashkimin Europian”,- tha von der Leyen.

Shkatërrimet nga bombardimet e vazhdueshme ruse kanë dëmtuar sistemet e ngrohjes së shtëpive, spitaleve dhe shkollave, ndërsa temperaturat po ulen përpara dimrit të tretë të konfliktit.

Me sulmet e vazhdueshme ajrore, Rusia ka nxjerrë jashtë funksionimit rreth 9 gigavat nga infrastruktura energjetike e Ukrainës, për të cilën von der Leyen tha se ishte e barabartë me nevojat energjetike të tri shteteve baltike.

Bashkimi Evropian gjithashtu njoftoi se do të rrisë eksportet për të furnizuar Ukrainën me energji elektrike. (Irma)