OKB: Me vrasjet e fëmijëve në Gaza Izraeli ka shkelur traktin global
2024-09-21 12:33:40

Femijet ne Gaza (Foto Rtsh)

Femijet ne Gaza (Foto Rtsh)

Një komitet i OKB-së akuzon Izraelin për shkelje të rënda të traktatit global që mbron të drejtat e fëmijëve, duke bërë të ditur se veprimet ushtarake në Gaza kanë pasur një ndikim katastrofik mbi ta dhe janë ndër shkeljet më të rënda përgjatë viteve të fundit, shkruan “RTSH”.

Autoritetet shëndetësore të drejtuara nga Hamasi kanë bërë të ditur se 41 mijë njerëz janë vrarë në Gazë qëkur Izraeli filloi fushatën e tij ushtarake.

Këto shifra nuk mund të verifikohen dhe nuk bëjnë dallim midis luftëtarëve dhe civilëve, ndërsa Izraeli njofton se ka vrarë më shumë se 17 mijë operativë terroristë të Hamasit.

Izraeli nisi luftën në përgjigje të sulmit të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, ku terroristët vranë 1200 njerëz dhe morën peng 251 persona.

Shifrat e Hamasit pretendojnë se nga të vrarët në Gazë, janë të paktën 11.355 fëmijë dhe mijëra të tjerë janë plagosur.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

“Vdekja e fëmijëve është e padëgjuar më parë në histori. Ky është një vend jashtëzakonisht i errët në histori. Nuk mendoj se kemi parë më parë një shkelje kaq masive të të drejtave të njeriut dhe fëmijëve sa ç’kemi parë në Gaza. Këto janë shkelje jashtëzakonisht të rënda që nuk i shohim shpesh”,- deklaroi në një konferencë mediatike Bragi Gudbrandsson, nënkryetar i Komitetit.

Izraeli, i cili ratifikoi traktatin në 1991, dërgoi një delegacion të madh në seancat dëgjimore të OKB-së në Gjenevë më 3-4 shtator.

Ata argumentuan se traktati nuk zbatohej në Gaza apo Bregun Perëndimor dhe thanë se Izraeli ishte i përkushtuar të respektonte ligjin ndërkombëtar humanitar.

Izraeli bën të ditur se fushata e tij ushtarake në Gaza ka për qëllim eliminimin e drejtuesve të Hamasit të enklavës palestineze dhe se nuk synon civilët, por se terroristët janë ngulitur thellë mes tyre, duke vepruar në tunele nën zonën e banimit dhe nga brenda spitaleve dhe shkollave.

Komiteti shpreh keqardhjen e thellë për mohimin e përsëritur të detyrimeve të tij ligjore nga Izraeli.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Komiteti i OKB-së monitoron pajtueshmërinë e vendeve me Konventën e 1989-s për të Drejtat e Fëmijëve, një traktat i miratuar gjerësisht që mbron fëmijët nga dhuna dhe abuzime të tjera. Në konkluzionet e saj, komiteti i bëri thirrje Izraelit që të sigurojë ndihmën urgjente për mijëra fëmijë të gjymtuar ose të plagosur nga lufta, të sigurojë mbështetje për jetimët dhe të lejojë më shumë evakuime mjekësore nga Gaza. (Irma)