Kryeministri shqiptar: Marrëveshja për emigrantët vetëm me Italinë
2024-09-21 11:26:27

Kryeministri Rama (Foto Atsh)

Kryeministri Rama (Foto Atsh)

Shqipëria nuk do të lejojë vende të tjera përveç Italisë të strehojë emigrantët në kampe pritjeje në territorin e saj, pavarësisht rritjes së interesit ndërkombëtar për këtë skemë, deklaroi kryeministri Edi Rama në një intervistë për “Euronews”, shkruan “ATSH”.

Një qëndrim i tillë vjen disa ditë pasi kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha se homologu i saj britanik, Keir Starmer, kishte shprehur interes të madh për skemën, sipas së cilës Italia do të transferojë deri në 36.000 emigrantë në vit në Shqipëri, ndërkohë që qeveria italiane përpunon kërkesat për azil.

Kryeministri Rama theksoi se qeveria shqiptare po përpiqet të ofrojë një zgjidhje pragmatike për një çështje që po bëhet një temë e nxehtë politike në Europë.

“Kur vendosëm ta bënim marrëveshjen e emigracionit, vendosëm bazuar në ndjenjën e përgjegjësisë si fqinjë, si europianë. Sigurisht që ne nuk jemi europianë brenda BE-së, por ne jemi ende europianë dhe kjo nuk mund të na mohohet”,- u shpreh kreu i qeverisë shqiptare.

Rama mohoi gjithashtu se ky zhvillim mund t’i jepte Shqipërisë një avantazh në përpjekjen e saj për anëtarësim në BE. (Irma)