Nënshkruhet marrëveshja për projektet e kërkimit shkencor në arsimin e lartë
2024-09-21 12:19:02

Ministrja Manastirliu (Foto Panorama)

Ministrja Manastirliu (Foto Panorama)

Nënshkruhet Marrëveshja e Bashkëpunimit mes Ministrisë së Arsimit dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim për bashkëfinancimin e projektit “READ” për projektet e kërkimit shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri dhe angazhimin e akademikëve shqiptarë të diasporës.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, tha se, përmes këtij bashkëpunimi, po krijohet një urë e rëndësishme mes akademikëve të diasporës dhe universiteteve shqiptare, që jo vetëm sjell përvojën ndërkombëtare, por ndihmon në rritjen e kapaciteteve kërkimore, përcjell “RTSH”.
“Sot kemi 130 projekte të kërkimit shkencor dhe infrastrukturës shkencore të financuara nga qeveria shqiptare përmes AKSHI-t. Janë 5 programet të cilat financohen përmes AKSHI-t, janë programe të kërkimit shkencor, projekteve dhe infrastrukturës së kërkimit shkencor. Janë programe të përbashkëta me vende europiane si Austria dhe Italia”,- tha ministrja Manastirliu.

Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) do të financojë dhe administrojë zbatimin e programit “READ”, duke përfshirë mbulimin e kostove për akademikët e diasporës dhe monitorimin e projekteve të zbatuara. (Irma)