Persa Miha, interpretuese e denjë e këngës polifonike dhe popullore
2024-09-21 10:09:06

Presa Miha (Facebook)

Presa Miha (Facebook)

Persa Miha ka një karrierë të gjatë muzikore, veçanërisht në atë të muzikës popullore tradicionale. Ajo ka kënduar që në moshë të vogël këngë polifonike dhe është rritur në një ambjent familjar ku të gjithë këndonin. Persa e ka trashëguar dhe ruajtur më së miri traditën familjare të këngës polifonike dhe asaj popullore. Ajo ka një repertor të gjerë këngësh në arkivin e saj muzikor dhe ka marrë pjesë në mjaft festivale dhe aktivitete të tjera artistike. Ka qenë pjesëmarrëse me grupin e Vlorës në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës në vitin 2004, duke u përfaqësuar denjësisht në këtë event të madh. Përveç këngës polifonike dhe asaj popullore qytetare, Persa këndon po aq bukur serenatat dhe këngë të trevave të tjera të vendit. Para pak kohësh ajo bashkë me grupin polifonik të Pilurit morën pjesë në koncertin kushtuar Lefter Çipës, me një elegji të veçantë enkas për këtë aktivitet. Në një intervistë për Radio Ejani ajo tregon për rrugëtimin e saj me këngën, aktivitetet ku ka marrë pjesë dhe projektet në vazhdim.

CMG: Përshëndetje Persa dhe faleminderit për pjesëmarrjen në Bio Fol.

Persa Miha: Përshëndetje, është kënaqësi për mua të jem e ftuar në Bio Folk, sepse më pëlqen shumë emisioni juaj, aq më tepër që unë e dua dhe e kam brenda shpirtit muzikën popullore. Unë u largova një moment prej saj, por ajo është brenda meje dhe erdhi pësëri e më gjeti.

CMG: Kur kanë qenë fillimet tuaja me këngën popullore?

Persa Miha: Unë e kam nisur këtë rrugëtim që në fëmijëri, një traditë e pasur familjare nga stërgjyshja ime, nga gjyshja, e cila njëkohësisht krijonte dhe këndonte. Gjithashtu babai im ka qenë krijues dhe organizues i festivaleve folklorike të Gjirokastrës. Mamaja gjithashtu ishte një marrëse e shkëlqyer dhe një kthyese e këngës së grave në një stil të veçantë, që në fakt tani ka humbur dhe unë dua ta gjej, por vështirë që të bëhemi një grup grash që të përdorim atë kthimin karakteristik. Unë vij nga Labova e Kryqit me origjinë, ku pjesën e fëmijërisë dhe shkollën 8-vjeçare e kam kaluar aty. Pastaj kam shkuar në Delvinë, sepse ashtu lëviznin prindërit, aty u lidha shumë me sazet e Delvinës. Kam inçizime dhe këngë të vjetra delvinjote. Ndërkohë që më vonë nisa studimet universitare, një lloj shkëputje, por përsëri kënga e gjeti rrugën e shpirtit.

Persa Miha ne interviste per CMG

Persa Miha ne interviste per CMG

CMG: Në arkivin tënd muzikor ke mjaft regjistrime, këngë polifonike, por dhe popullore qytetare. Si i ka pitur artdashësi këto materiale muzikore?

Persa Miha:  Unë thuajse të gjitha këngët, qoftë të natyrës serenatë, të muzikës së lehtë, folk, por edhe polifonike në pjesën më të madhe i kam krijimet e mia. Kjo më ndihmon shumë, që mbi bazën e krijimit të teksteve dhe njohurive të vendos dhe linjën muzikore. Gjithmonë më ka tërhequr shumë filozofia e jetës, ku dhe lidhja me profesionin tim si biologe më ka bërë që të krijoj disa këngë për ekzistencën, për anën filozofike se çfarë është jeta. Megjithatë, më ka pëlqyer që veç muzikës së jugut, kam kënduar këngë më këngëtarët e Kosovës dhe të trevave të tjera të vendit, që i kam kënduar dhe në zhanrin muzikor verior.

 Këto këngë më kanë dhënë shumë kënaqësi sepse i dua. Kam bërë baladën e Kostandinit dhe Doruntinës me motive jugore dhe veriore. Mëndoj se kënga më e bukur dhe më përfaqësuese e folkut është kënga “Vallja shqiptare”, të cilën e realizova me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, ku kam bërë një përmbledhje të vijave melodike dhe teksteve më të bukura popullore përfaqësuese të gjithë krahinave të Shqipërisë. Në këtë këngë kam gjetur atë ritmin e mesëm, që mund të kalonte orkestruesi qoftë nga pjesa e labërishtes deri në Shqipërinë e mesme si dhe veriore.

Persa Miha me grupin polifonik te Pilurit (Facebook)

Persa Miha me grupin polifonik te Pilurit (Facebook)

CMG: Sa e lidhur je me këngën polifonike dhe cilat kanë qenë aktivitetet apo festivalet ku ke marrë pjesë?

Persa Miha: Polifonia ka qenë zhanri i parë muzikor që unë kam dëgjuar me veshët e mi. Unë këndoja instiktivisht muzikën e lehtë në festivalet që bëheshin në shkolla, të folkut në Delvinë me sazet e Delvinës, dhe e kisha një nënshtresë në vetvete. Megjithatë, mua më pëlqenin shumë dasmat, tezja dhe mamaja më merrnin në dasma më tepër për cilësitë e vokalit dhe mi thonin ato fjalët e këngës së dasmave karakteristike. Pa dashje ato këngë kanë ngeluar tek unë dhe kur erdhi një moshë pjekurie. Kur punoja me turizmin në Greqi, në mbrëmje të veçanta shfaqeshim edhe kulturat e vendeve nga vinim. Turistët e mahnitur më pëlqenin, dhe kjo më bëri që kur u ktheva nga emigracioni të krijoja një grup polifonik në Sarandë, grupin “Dea”. Kemi realizuar mjaft këngë, morëm pjesë dhe në festivalin folklorik të vitit 2004 në Gjirokastër. Në atë festival konkuruam me grupin e Vlorës, mora disa trajta tekstesh të vjetra dhe i përpunova pak. Ndoshta instiktivisht futa dhe bagazhin tim me trevën e Zagorisë, Lunxhërisë, Pilurit dhe Himarës, sepse unë jam rritur me ato melodi. Doli një këngë shumë e bukur, që është pëlqyer shumë, ku i madhi Lefter Çipa është mahnitur nga performanca ime.

CMG: Para pak kohësh u organizua nga ansambli popullor një koncert në nderim të Lefter Çipës, ku ju ishit pjesëmarrëse. Si u ndjetë në këtë koncert?

Persa Miha: Unë e ndjeva detyrim hyjnor, atje ishte shpirti Lefterit, shpirti im dhe i grupit të Pilurit. Kënga u përgatit për një kohë shumë të shkurtër dhe ishte këngë me ngarkesë të madhe emocionale. Ishte përgjegjësi e madhe, sa në një moment mendova se pse e mora përsipër. Më vjen shumë mirë që doli një këngë aq e bukur, me tekst të shkruar nga vëllai i Lefter Çipës, Kristo Çipa, një poet i përmasave popullore me një penë të artë dhe një vazhdimësi e gjithë traditës piluriote bregase, si në tekst ashtu dhe në vijën melodike. Unë nuk isha takuar me grupin e Pilurit të këndoja, por u bashkuam për atë këngë. Kjo këngë ka dalë një perlë, siç e vlerësoi dhe publiku në sallë. Kam qenë aq e emocionuar dhe e ngarkuar për ta nxjerrë mirë atë këngë, sepse kisha dhe pasiguri, saqë më mbrapa fillova ta shijoja këngën.

Kengetarja Persa Miha (Facebook)

Kengetarja Persa Miha (Facebook)

CMG: Flasim për angazhimin tuaj kohët e fundit me grupin polifonik të Pilurit?

Persa Miha: Unë bashkëpunoj me grupin e Pilurit dhe mendoj se kemi gjetur njëri-tjetrin. Lefteri më tha para 20 viteve që unë të shkoja vetëm 10 ditë në Pilur, ngaqë më vlerësonte vokalin tim që ishte shumë i përshtatshëm për ato këngë. Mirëpo koha dhe mundësitë e transportit, detyrimet ndaj punëve të tjera nuk më lanë, por ja që erdhi dita dhe e solli rastësia që unë u bashkova me ata për koncertin në TOB me këngën e Lefter Çipës, një elegji e mrekullueshme.

CMG: Një vlerë e shtuar e këngës popullore është dhe kostumi popullor. Si je ndjerë në skenë me veshjet popullore?

Persa Miha: Unë kam kostumin popullor të gjyshes të viteve 30-të. Për herë të parë atë kostum e kam veshur në vitin 1983 në Gjirokastër. Kam kënduar një këngë lunxhiote, dhe është veshja karakteristike e Labovës së Kryqit, e nuses. Është një veshje e mrekullueshme me të gjithë elementët e saj, duke filluar që nga kësula e kokës dhe deri tek çorapet e këpucët. Është një veshje shumë aristokrate. Ndoshta studiuestit mendojnë se ka lidhje me Kishën, sepse është një veshje e llojit perandorak, e qëndisur me flori, me mënga të gjera e të mëdha, me hapje dhe volum busti dhe me një ndërtim të veçantë të gërshetave e flokëve të nuses, që rrijnë dhe e kthejnë në krahun e majtë anën e kësulës. Në fakt sot nuk vishet me kaq preçizion, dhe unë mund të jem e fundit që e kam veshur. Këtë kostum ma ka veshur mamaja ime, që dinte të rregullonte pjesën e flokëve dhe të kokës.

 Unë para dy ditëve isha në Labovën e Kryqit, ku është kisha e ndërtuar nga perandori Justinian, Atje ruhet një traditë 1500 vjeçare, që nuset e vitit dhe të rejat e fshatit vishen me këtë kostum të mrekullueshëm, marrin tabakatë me gliko dhe qerasin gjithë të ftuarit, hedhin vallen në lëmin e valles. Në fshatin e Labovës ndodhet lëmi i valles, ku pasi mbaronin shërbimet kishtare, për 1500 vjet aty është festuar, është hedhur valle dhe kënduar nga të gjithë, por përparësi merrnin nuset e vitit të veshura me kostumin kombëtar. Kjo traditë vazhdon të ruhet edhe sot, ku nuset e reja të martuara atë vit vishen dhe udhëheqin vallen.

Persa Miha me kostum popullor (Foto personale)

Persa Miha me kostum popullor (Foto personale)

CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore në vazhdim

Persa Miha: Unë do punoj për të nxjerrë këngë të reja tradicionale në vazhdim, por kam dhe një ide tjetër bashkë me një shoqen time, që të fusim mësimin e këngës popullore në kopshte, për fëmijët e moshave 4-5 vjeçare.

Intervistoi: Gazmend Agaj