Foto nga ATSH
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, deklaroi se qasjet e reja në qeverisje dhe sistemin arsimor kanë synuar orientimin e nxënësve, por edhe të prindërve, drejt arsimit profesional.
Në vijim të takimeve dedikuar arsimit profesional, ajo vizitoi shkollën e mesme profesionale “Hysen Çela” në Durrës, nga ky tha se nga mbi 800 nxënës që kanë zgjedhur të mësojnë në këtë shkollë, rreth 430 prej tyre mësojnë në drejtimin e hoteleri-turizmit me profile bar-restorant, kuzhinë-pastiçeri dhe shërbime në hotel e restorant. Gjithashtu drejtimi i detarisë me dy profilet e tij është i lidhur ngushtë me sektorin e turizmit, shkruan “ATSH”.
Ministrja Kumbaro bisedoi nga afër me nxënësit dhe mësuesit për ofertat e punësimeve dhe u njoh me aspekte praktike të procesit mësimor në këtë shkollë.
Ajo prezantoi edhe instrumentin e ri të statistikave, platformën “e-Visitors” si përpjekje për të formalizuar kapacitetet e strukturave akomoduese.
“Kemi një shfrytëzim shumë më të madh të numrit të kapaciteteve të shtretërve të cilët do të orientohen përmes një instrumenti të ri që ne po ndërtojmë, një platforme që do të quhet “e-Visitors”, për statistikat dhe për të kuptuar realisht sa është kapaciteti i shtretërve, numri i vizitorëve, preferencat e tyre, por kemi nisur edhe marrëdhëniet me “Airbnb” për të formalizuar gjithë këtë treg. Dhënia e apartamenteve në platforma si “Airbnb” duhet të shkojë në proporcion me industrinë e turizmit, hotelet, restorantet sepse ato krijojnë punësim, por edhe për të mos dëmtuar tregun imobiliar. Do të ndihmojë dhe bashkitë me atë që quhet “taksa e turistit”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Kumbaro foli edhe për vlerësimin që i është bërë arsimit profesional përmes rritjes së pagave të mësuesve, si dhe theksoi se në projekt-buxhetin 2025-2027 do të përfshihen edhe investime për laboratorë, shkolla dhe qendra të formimit profesional. (Irma)