SHBA-Serbi, nënshkruhet marrëveshja për bashkëpunim strategjik në fushën e energjisë
2024-09-20 12:15:25

DASH (Foto Diplomacy.state.gov)

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi strategjik në sektorin e energjisë.

“Marrëveshja, e nënshkruar nga zv.sekretari amerikan për Rritjen Ekonomike, Energjinë dhe Mjedisin, Jose Fernandez, dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, do të zgjerojë mundësitë që kompanitë amerikanë të investojnë në sektorin e energjisë së Serbisë dhe të promovojë investimet amerikane”,- thuhet në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit, shkruan “Panorama”.

Po ashtu, sipas deklaratës, marrëveshja do të forcojë partneritetin strategjik mes SHBA-së dhe Serbisë.

Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, SHBA-ja bëri të ditur se mbështet fuqishëm standardet e larta të transparencës dhe të qenit të hapur në prokurimin publik, të përcaktuara nga organizatat shumëkombëshe, dhe nxit Serbinë të përvetësojë këto standarde.

Sipas SHBA-së, marrëveshja e arritur me Serbinë është rezultat i një përpjekjeje shumëvjeçare të specialistëve të angazhuar nga pesë agjenci amerikane.

“Ky angazhim i burimeve pasqyron përkrahjen e fuqishme të qeverisë amerikane për investitorët amerikanë dhe projektet për energji të pastër dhe zhvillim të qëndrueshëm”,- thuhet në deklaratën e DASH-it. (Irma)