Biznes shqiptar (Foto Atsh)
Në muajin gusht, inflacioni i matur me metodologjinë e EUROSTAT (IHÇK) në Shqipëri zbriti në 2.4% nga 3.8% që ishte në fillim të këtij viti.
Niveli i Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit në gusht rezulton 0.4% më i lartë se matjet kombëtare të INSTAT-it, ku u llogarit 2%.
Referuar raportit të INSTAT-it, matjet tregojnë se rritja më e madhe e çmimeve prej 4.3% vërehet në grupin “shërbimi arsimor”, pasuar nga grupet “pije alkoolike dhe duhan” me 3.6%, “veshje dhe këpucë” me 3.5%, “ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “argëtim dhe kulturë” me 3.3% secili, “mallra dhe shërbime të ndryshme” me 2.3%, “mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 2.2%, “hotele, kafene dhe restorante” me 2.1%, “shëndeti” me 1.9%, “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1.5%, “komunikimi” me 0.6%. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “transporti” u ulën me 1.6%.
Ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0.3%.
Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “argëtim dhe kulturë” me 2%, pasuar nga grupet “shërbimi arsimor” me 0.7%, “pije alkoolike dhe duhan” dhe “veshje dhe këpucë” me 0.6% secili, “mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” dhe “komunikimi” me 0.4% secili, “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, “mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0.2% secili, “ushqime dhe pije joalkoolike”, “shëndeti” dhe “hotele, kafene dhe restorante” me 0.1% secili.
Çmimet e grupit “transporti” u ulën me 0.3%. (Irma)