Rama: Do të krijohet Komitet i Përbashkët Konsultativ për fuqizimin e bashkëpunimit me BE-në
2024-09-20 11:56:12

Kryeministri Rama (Foto Atsh)

Kryeministri shqiptar Edi Rama njoftoi krijimin e Komitetit të Përbashkët Konsultativ për fuqizimin e bashkëpunimit drejt integrimit në Bashkimin Europian, shkruan “ATSH”.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Bruksel me kreun e Komitetit Ekonomik dhe Social Europian, Oliver Röpke, Rama u ndal te hapat e mëtejshëm drejt BE-së.

Kryeministri Rama theksoi se finalizimi i procedurave të krijimit të Komitetit të Përbashkët Konsultativ është tejet inkurajuese dhe sjell vërtet shumë energji të reja.

“Provë kjo jo vetëm e anagzhimit tonë, por edhe e besimit të fortë që ne kemi që procesi i integrimit në BE nuk është thjesht një çështje që i përket qeverisë, por u përket të gjithë qytetarëve edhe me përfshirjen e shoqërisë civile”,- shtoi ai.

Rama tha se ndihet veçanërisht i emocionuar për mbështetjen që ka dhënë Röpke dhe i gjithë ekipi i tij.

“Kjo për arsye se na jepni mundësinë që t’u tregojmë qytetarëve tanë dhe të gjithë aktorëve në Shqipëri, jo thjesht përmes gjërave që themi ne, por përmes një institucioni këtu, në këtë kompleks institucionesh në BE, se sa e rëndësishme është që të kuptojmë se rruga drejt anëtarësimit në BE është një rrugë për të cilën duhet e gjithë shoqëria, jo thjesht disa aktorë në vend”,- bëri të ditur Rama.

Kryeministri theksoi rëndësinë e konsultimeve me organizatat e shoqërisë civile, si një punë normale dhe e rregullt për çdo nismë që është kyçe për këtë proces.

Sipas tij, me këtë Komitet të Përbashkët Konsultativ që do të krijohet së shpejti do të ketë edhe një mekanizëm tjetër shumë të rëndësishëm dialogu me Komitetin Ekonomiko-Social Europian.

Kryeministri theksoi se synimi është që të forcohet dhe fuqizohet bashkëpunimi, provë që tregon se vendi është vërtet i gatshëm të bëjë gjithçka që mundet për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit në BE. (Irma)