Suedia i bashkohet nismës për ndalimin e celularëve në shkolla
2024-09-20 10:45:43

foto nga CFP

foto nga CFP

Qeveria e Suedisë është bërë vendi i fundit në Europë që po punon për hartimin e një legjislacioni për të ndaluar telefonat celularë në shkolla, për shkak të dëmtimit fizik dhe mendor që u shkaktohet të rinjve nga koha e tepërt përpara ekranit.

Lëvizja vjen pas nisjes në vitin 2017 të një strategjie pesëvjeçare të dixhitalizimit për shkollat. Qëllimet kryesore të asaj strategjie ishin: krijimi i mundësive të mëtejshme për dixhitalizim, arritja e një niveli të lartë të kompetencës dixhitale (veçanërisht në kontekstin e fëmijëve, studentëve dhe të rinjve) dhe promovimi i zhvillimit të njohurive dhe mundësive të barabarta dhe aksesit në teknologji.

Por Suedia raporton aktualisht nivelin e dytë më të lartë të përdorimit të internetit në Bashkimin Europian. Nisur nga kjo, ministri i Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë Publike, Jakob Forssmed, ka thënë se nevojitet një përpjekje e bashkërenduar, për t'i bërë të rinjtë që të largohen nga bota dixhitale, për t'u kthyer në atë reale.

"Shkollat kanë përgjegjësinë që t'i përgatisin fëmijët për botën, por ajo që po shohim tani është diçka tjetër”, - tha ministri suedez.

“Fëmijët e sotëm nuk ditë të bëjnë punë dore, nuk dinë të presin me gërshërë.  Ata nuk mund të ngjiten në një pemë. Ata nuk mund të ecin mbrapsht sepse rrinë ulur, të zënë me celularët e tyre në dorë".

foto nga CFP

foto nga CFP

Mungesa e aktivitetit fizik të lidhur me kohën e tepërt të kaluar para ekranit të celularit është zbuluar se po ndikon që të rinjtë të zhvillojnë sëmundje fizike që historikisht kanë të qenë më shpesh të lidhura me të moshuarit. Po ashtu, sipas ministrit, edhe modelet e ndërprera të gjumit të lidhura me përdorimin e telefonit celular po kontribuojnë në rritjen e ankthit dhe depresionit, veçanërisht tek vajzat.

Aktualisht, ka kufizime vullnetare për aksesin në pajisjet dixhitale personale në shkollë në vend, por një gjë e tillë tani mund të bëhet ligj. Nëse arrin të bëhet ligj, do të ndiqte një prirje në rritje në të gjitha vendet e Europës për kufizimin e kohës që fëmijët dhe të rinjtë kalojnë përpara ekranit të celularit dhe pajisjeve të tjera dixhitale.

Në fillim të këtij muaji, Franca u bë vendi i fundit që prezantoi një masë të tillë, në një fushatë provë për të ndaluar  telefonat celularë në shkollë. Kështu, sipas udhëzimeve, çdo mëngjes para nisjes së orëve të mësimit, celularët dorëzohen në shkollë. Kjo masë është pjesë e një përpjekjeje për t'u dhënë të rinjve atë që është quajtur "një pauzë dixhitale".

foto nga CFP

foto nga CFP

Një raport nga një komision i ngritur nga presidenti francez Emmanuel Macron bëri vëzhgime të ngjashme në lidhje me dëmet e shkaktuara nga telefonat me ato të vërejtura në Suedi, duke përfshirë një konsensus shumë të qartë mbi efektet negative, të drejtpërdrejta dhe të tërthorta, të pajisjeve dixhitale. Raporti zbuloi se përdorimi i tepërt i këtyre pajisjeve ka ndikime në cilësinë e gjumit, po ashtu në rritjen e pasivitetit  nga mungesa e aktivitetit fizik. Përdorimi i tepërt i pajisjeve dixhitale rrit rrezikun e mbipeshës dhe shkakton probleme në shikim.

Servane Mouton, një neurologe që shërbeu në komisionin që hartoi raportin, tha se nuk duhet të përqendrohen vetëm te të rinjtë, duke shtuar se duhet t'u mësojnë prindërve edhe një herë se si të luajnë me fëmijët e tyre.

Italia, nga ana tjetër, i ndaloi telefonat për të gjitha grupmoshat shkollore në vitin 2007, përpara se të anulonte vendimin në vitin 2017, për ta vendosur sërish në vitin 2022.

Portugalia ka caktuar ditë shkollore pa telefon. Po ashtu, ka ndalime rajonale në Spanjë dhe kufizime apo udhëzime që synojnë frenimin e përdorimit të telefonave në Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar.

“Për një kohë shumë të gjatë, ne kemi lejuar që ekranet dhe aplikacionet të vjedhin kohën dhe vëmendjen e fëmijëve tanë, me koston e asaj që dimë se është e nevojshme për t'u ndjerë mirë”, - shtoi ministri suedez i Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë Publike, Jakob Forssmed. "Shëndeti i fëmijëve po paguan çmimin për fitimet e kompanive të teknologjisë", - përfundoi ai.