Balluku (Foto Atsh)
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku prezantoi në Shkollën Teknike Elektrike “Gjergji Canco”, në Tiranë, Akademinë e Energjisë, me fokus në zhvillimin dhe formimin e brezit të ardhshëm të profesionistëve në sektorin e energjisë, shkruan “ATSH”.
Ministrja Balluku deklaroi se synohet që në këtë akademi të përgatiten të gjitha stafet që do të kontribuojnë në sektorin energjitik, përfshirë OSHEE-në, Operatorin e Transmetimit OST, apo edhe KESH-in, si një nga komponentet më të rëndësishëm të sistemit energjetik, duke qenë se është prodhuesi vendas që mbulon rreth 75% të kërkesës së tregut.
Ministrja theksoi se Shqipëria po zhvillon burime alternative për mos të qenë në varësi të flukseve hidrike.
Sipas saj, Shqipëria është futur në rrugën e inovacionit dhe përdorimi i hidrogjenit apo burime të tjera alternative të qëndrueshme si gazi i lëngshëm, bazuar në teknologji që sigurojnë emetime sa më të ulëta, do të jenë zgjidhje për prodhimin vendas, pasi Shqipëria synon që në vitin 2030 të kthehet në një vend eksportues neto.
Balluku u shpreh se në këtë akademi, në një të ardhme të afërt, parashikohet të përfshihen edhe teknikët hidro.
Administratori i OSHEE-së, Enea Karakaçi theksoi se kjo nismë erdhi pasi kompania OSHEE ka të gjithë resuerset, duke pasur edhe numrin më të madh të profesionistëve të fushës.
“Akademia do të ndahet në tre drejtime. Do të ofrojë trajnimet për stafin e ri në kompaninë OSHEE, do të bashkëpunojë me shkollat profesionale me module të posaçme ku nxënësit të vijnë të bëjnë praktikë pranë OSHEE-së. Dhe po ashtu do të bashkëpunohet edhe me universitetet për të thithur inxhinierët më të mirë“,- tha ai.
Sipas tij, akademia do të japë certifikata përkatëse për nxënësit që do të marrin pjesë në të. (Irma)