Negociatat tregtare Kinë-BE dhe liberalizimi i tregtisë botërore
2024-09-20 10:40:13

Negociatat tregtare Kinë-BE, lidhur me masat anti-subvencion ndaj eksportit të automjeteve elektrike kineze në vendet e Bashkimit Evropian, janë në zhvillim e sipër. Më 19 shtator 2024, Ministri i Tregtisë së Kinës, Wang Wentao u takua në Bruksel me ZvKryetarin e Komisionit Evropian dhe Komisionerin e Tregtisë së BE-së, Valdis Dombrovskis, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të deritanishme në këtë fushë.  

Kompanitë kineze të prodhimit të makinave elektrike, të cilat eksportojnë në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, kanë propozuar balancimin e efekteve të subvencioneve me angazhime në çmim ose fusha të tjera, pas një komunikimi të thelluar dhe konsultimeve miqësore me partnerët evropianë.

Bashkëpunimi Kinë-BE për makinat elektrike

Bashkëpunimi Kinë-BE për makinat elektrike

Megjithatë, për shkak të kërkesave tepër të larta të paraqitura nga Komisioni Evropian, në fund të bisedimeve mund të mos arrihet dakordësia.  

Pavarësisht nga rezultati i negociatave qe po zhvillohen, vendosmëria e Kinës për të mbrojtur interesat thelbësore të qytetarëve dhe kompanive të saj nuk do të ndryshojë.

Më 20 gusht 2024, Bashkimi Evropian uli disi tarifat e vendosura ndaj kompanive kineze të makinave elektrike dhe më 10 shtator 2024, njoftoi se do të ulte sërisht në një masë të vogël nivelin e tarifave.

Në korrik të vitit 2023, Komisioni Evropian publikoi "Rregulloren për subvencionet e huaja". Sipas kësaj rregulloreje, Komisioni Evropian mund të nisë hetime ndaj subvencioneve të huaja që i gjykon se shtrembërojnë tregun e BE-së.

Që nga korriku 2023, me zbatimin e kësaj rregulloreje, Komisioni Evropian ka nisur tre hetime të thelluara, një hetim aktiv dhe një inspektim të papritur ndaj kompanive kineze prodhuese të automjeteve elektrike.

Ekspertë të tregtisë së lirë ndërkombëtare shprehen se, në kuptimin tradicional, “subvencionet” dhe “anti-subvencionet” përdoren ndaj aktiviteteve tregtare. Ndërkohë që "Rregullorja për subvencionet e huaja" synon kryesisht aktivitetet e investimeve, blerjet dhe bashkimin e kompanive, si dhe pjesëmarrjen në prokurimet qeveritare të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Ata vënë re se Rregullorja e korrikut 2023 e BE-së, tani po përdoret për të penguar frymën dhe kushtet e tregtisë së lirë mes dy nga partnerët më të fuqishëm tregtarë në botë, Bashkimit Evropian dhe Kinës, në një sektor shumë të rëndësishëm dhe me të ardhme, si ai i tregtimit të automjeteve elektrike.

Sipas Eurostat, Kina është partneri i dytë më i madh tregtar i BE-së për mallra, me tregtinë dypalëshe që arriti në 739 miliardë euro në 2023. Kina është partneri më i madh i Bashkimit Evropian për importet dhe partneri i tretë më i madh i BE-së për eksportet.

Të dhënat po nga Eurostat dhe nga Ministria e Tregtisë së Jashtme të Kinës, tregojnë se investimet kineze për automjetet elektrike në Europë po shfaqin një prirje të shpejtë rritjeje.

Eksperti i ekonomisë Eduart Gjokutaj në intervistë për CMG

Eksperti i ekonomisë Eduart Gjokutaj në intervistë për CMG

Prodhuesit kinezë të baterive të makinave elektrike kanë kryer 17.1 miliardë euro investime në Europë dhe kapaciteti i fabrikave të tyre në kontinetin evropian do te vijojë të shtohet, deri në 20 përqind të kapacitetit të përgjithshëm të prodhimit të këtyre baterive, deri në fund të vitit 2030.

Është normale që Kina, si ekonomia e dytë më e madhe e botës dhe një potencial i jashtëzakonshëm ekonomik dhe tregtar, gjatë procesit të modernizimit të saj, po shkakton dhe do të shkaktojë, në mënyrë të pashmangshme, ndryshime të mëdha në ndarjen ndërkombëtare të punës dhe të interesave tregtare dhe të investimeve në të gjitha anët e botës.

Ekspertë të njohur të tregtisë ndërkombëtare në Evropë dhe më tej, shprehen se Kina është e gatshme të kërkojë konsensus dhe t'i zgjidhë mosmarrëveshjet nëpërmjet komunikimit dhe lëshimeve reciproke. Mirëpo kjo nuk do të thotë se do të bëjë lëshime mbi interesat e saj thelbësore.

Të njëjtët ekspertë dhe studjues theksojne se, nëse Bashkimi Evropian dëshiron të vazhdojë të ruajë hapësirën për bashkëpunim dhe rritje të tregtisë dhe investimeve reciproke, ai duhet të anullojë tarifat tregtare shtesë ndaj Kinës dhe të bëjë zgjedhjen e duhur.Eksperti i ekonomisë Eduart Gjokutaj komenton këtë çeshtje me peshë në shkëmbimet ekonomike mes BE-së dhe Kinës në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG)

CMG: Z. Gjokutaj, në bazë të përvojave të kaluara të tregtisë së lirë ndërkombëtare, a do të ishte më mirë, për të dyja palët, si BE-në ashtu dhe Kinën, qe të arrinin të zgjidhnin mosmarrëveshjen tregtare në importin e makinave elektrike kineze në Evropën e Bashkuar, përmes angazhimeve në çmim, ose në fusha të tjera, pas komunikimit të thelluar dhe konsultimeve miqësore?

Eduard Gjokutaj: Ajo që shihet nga analizat e ndryshme që bëhen për këtë marrëdhënie, si dhe nga politikat që ka zhvilluar secili vend, ku vend po quaj të gjithë komunitetin e 27 Vendeve Anëtare të Bashkimit Evropian, është se natyrshëm nevojitet një politikë e balancuar, e cila nuk duhet t’i shërbejë kufizimit të tregut.

Kjo, për arësye se, sado jo kufizuese mund të duket politika e hapjes ndaj tregut kinez, po aq fitimprurëse paraqitet ajo, për bizneset e të dyja palëve në përgjithësi dhe për një kategori të caktuar të bizneseve europiane, në veçanti.

Natyrisht që Europa, duke qenë historikisht shtëpia e industrive prodhuese, e ndjen peshën e konkurrencës dhe ka marrë masat e saj. Ajo çfare BE duhet të bëjë tani, është që, nëpëmjet rregulloreve të ndryshme që ka miratuar dhe politikave që ka, të jetë më koherente me atë çfarë ndodh në anën tjetër.

Dhe jo vetëm me konkurrencën nga tregu kinez, por nga të gjitha prodhimet e tregut ndërkombëtar, që është bërë më i ashpër dhe ndikues, sidomos në Europë.

CMG: Në korrik të vitit 2023, Komisioni Evropian publikoi "Rregulloren për subvencionet e huaja". Sipas këtij dokumenti, Komisioni Evropian mund të nisë hetime ndaj “subvencioneve të huaja që shtrembërojnë tregun e BE-së”. Komenti juaj, ju lutem, lidhur me këtë masë të BE-së.

Eduard Gjokutaj: Unë do të rendisja, për dijeni, edhe dy rregullore të tjera: a) “Rregullorja e Infrastrukturës së Karburanteve Alternative” dhe b) “Rregullorja për Bateritë e Makinave Elektrike”, të cilat synojnë të ndikojnë me politika jo antidumping dhe të hapura.

Mirepo, nga ana tjetër, ato kufizojnë sadopak edhe atë që ju përmendet më përdorimin e Rregullores së Subvencioneve të Huaja.

Makinat elektrike kineze (Foto CMG)

Makinat elektrike kineze /Foto CMG

Natyrisht që e gjitha kjo ka ndikimin e vet në tregun e importeve, por kjo ka ndikim edhe mbi prodhuesit vendas. Arësyen kryesore pse ndikon e përbën fakti që, duke nxjerrë rregullore që nuk harmonizohen dhe centralizohen me të gjithë ambjentin ekonomik dhe politik të Evropës, kjo krijon kosto të shtuar për prodhuesit europianë dhe krijon edhe paqartësi, në atë çfarë rregulloret përcaktojnë dhe në atë çfarë ka si metodikë Brukseli në tërësinë e vendim-marrjes së Komisionit Evropian.

Këto zhvillime duhet të peshohen me syrin dhe etalonin se si të bëhet mjedisi më konkurrues. Në këtë rast, qëllimet e Kinës nuk janë të fshehta, pasi subvencionet publike me qëllimet e politikës së saj janë të hapura në strategjitë e tyre, si qasje në atë që ata e quajnë industri strategjike.

Ky model duhet marrë në konsideratë, pasi të kujdesesh për industritë strategjike është e rëndësishme. Kjo, pasi ti kujdesesh për të gjithë zinxhirin prodhues, duke filluar nga lëndët e para dhe deri tek momenti i masave që lehtësojnë prodhimin, i politikave fiskale, i politikave të shpëndarjes, etj., dhe deri tek momenti i përshtatjes me rregulloren përkatëse, përsa i përket respektimit të mjedisit dhe respektimit të përdorimit të energjisë së gjelbërt.

Kina ka arritur 13 përqind të tregut europian të makinave elektrike. Ky është tregues i madh, në raport me vendet e tjera. Nga ana tjetër, në qershor 2024, shitjet e automjeteve elektrike në Europë tejkaluan ato të makinave me motorr me karburant fosil.

Pra, është hera e parë që kjo ndodh dhe ky fakt tregon se ky treg, pra tregu kinez, nuk konkurrohet dot, përsa i përket kostos.

CMG: Që nga korriku 2023, Komisioni Evropian ka nisur tre hetime të thelluara, një hetim aktiv dhe një inspektim të papritur ndaj kompanive kineze, prodhuese te automjeteve elektrike. A janë veprimet e duhura dhe a ndihmojnë ato në shtimin e marrëdhënieve tregtare mes BE-së dhe Kinës?

Eduard Gjokutaj: Këto janë përpjekje për të frenuar sadopak, atë që quhet vërshimi i investimeve të teknologjisë së makinave elektrike kineze, të cilat tashmë kanë arritur pjekuri dhe janë në avangardë, në krahasim me të gjitha vendet e tjera të botës.

Natyrisht që kompanitë po synojnë të konkurrojnë në kosto, por duhet thënë që Kina është prodhuesi i 75 përqind të baterive të makinave elektrike të botës dhe zotëron edhe ato që quhen mineralet e rëndësishme për t’i prodhuar këto bateri.

Pra, nga ai kujdes i Kinës, në uljen e kostos dhe në përdorimin e sinkronizuar të të gjithë elementëve që ndikojnë në një prodhim me cilësi, në respektim të mjedisit dhe  në drejtim të tregjeve konkuruese, sado të ndodhin hetime të caktuara, gjykoj se thjesht vetëm e shtyjnë deri diku efektin e investimeve kineze.

Mirëpo, nga ana tjetër, këto hetime nuk kanë atë efekt në aspektin afatgjatë. Dhe është pikërisht ky aspekt  që i duhet Europës, e cila, nga ana tjetër, duhet të marrë pjesën e saj në treg, nëpërmjet rritjes së prodhimit, nëpërmjet rikthimit të teknologjisë në vendet e tyre, si dhe kujdesit për zinxhirin e vlerës.

Evropa e Bashkuar duhet të jetë më e zhdërvjellët dhe e çliruar nga ato politika që e rëndojnë, pasi rregullat burokratike që ka Brukseli e pengojnë.

Kjo, pasi ne e dimë se vendet me të cilat Kina ka marrëdhëniet më kryesore tregtare dhe ekonomike në Evropë janë Gjermania, Britania e Madhe, e cila është jashtë BE-së, si dhe Franca.

Këto tri vende përbëjnë treshën kryesore ekonomike të Europës. Ato janë jo vetëm prodhueset e hershme të automjeteve, por edhe invesueset në teknologji dhe këtë po e marrin mbapsht.

CMG: Nëse Bashkimi Evropian dëshiron të vazhdojë të ruajë hapësirën për bashkëpunim dhe zhvillim me Kinën, a duhet që Unioni të anullojë tarifat shtesë ndaj eksportit të automjeteve elektrike kineze në vendet e BE-së?

Eduard Gjokutaj: Këto nuk duhet të vijnë si politika të pjesshme, pasi, sikurse Kina ka një strategji të qartë, e cila ka arritur një fazë të zhvillimit të avancuar në raport me BE-në, edhe Bashkimi Evropian duhet të zhvillojë një strategji të qartë, solide dhe koherente.

Këtë strategji ai tani nuk e ka. Kjo strategji i nevojitet që të të përmirësojë të gjitha mangësitë që ka nga e kaluara. Ajo duhet të ketë politika si një tërësi e zhvillimeve, sesa si një qasje e vetme, që ka të bëjë vetëm me ndalimin fiskal në importe.

Ajo çfarë mund dhe duhet të bëjë Europa sot, është që të rikthehet në shtëpinë e industrive prodhuese.

Problemi i BE-së, me këtë rast, është më i vështirë se sa problemi që ka Kina, pasi kërkohet kordinimi  në unison i 27 vendeve anëtare të BE-së.

CMG: Negociatat Kinë-BE, për çështjen e masave anti-subvencion, lidhur me eksportin e automjeteve elektrike kineze në vendet e Bashkimit Evropian, janë ende në zhvillim e sipër. Më 19 shtator 2024, pritet takimi mes Ministrit të Tregtisë së Kinës, Wang Wentao dhe Komisionerit të Tregtisë së BE-së, Valdis Dombrovskis. Do të jetë rezultativ ky takim, në gjykimin tuaj?

Eduard Gjokutaj: Besoj që ky takim është ende përgatitor, pasi, përsa kohë që Europa nuk është gati me ato lloj qasjesh të aspektit të një strategjie të plotë, të një industrie te pergatitur, si edhe të politikave të brendshme lokale të harmonizuara të seicilit shtet anëtar, Bshkimi Evropian do të vijojë të përdorë politika të pjesshme, deri sa ta kuptojë rëndësinë e një strategjie unifikuese.

Intervistoi Fatos Çoçoli