Permbytjet ne Itali (Foto Rtsh)
Stuhia “Boris” shkaktoi përmbytje të mëdha dhe rrëshqitje dheu në në rajonin verior italian të Emilia-Romagna-s, ku autoritetet njoftuan për evakuimin e banorëve, shkruan “Panorama”.
Jader Dardi, kryebashkiaku i Modigliana-s, një qytet në provincën Forlì-Cesena që u godit gjithashtu nga përmbytjet shkatërruese, deklaroi se situata është shumë dramatike. Ai u bëri thirrje banorëve të zonës që të ngjiten në katet më të larta të shtëpive të tyre.
Zyrtarët kanë urdhëruar evakuimin e shtëpive përdhese dhe me bodrume, në zonat e prekura.
Për shkak të rrëshqitjeve të dherave janë bllokuar edhe disa rrugë.
Paralajmërimet për mot të rëndë mbeten në fuqi në Emilia-Romagna dhe Marche.
Shkollat janë mbyllur dhe njerëzit janë këshilluar të shmangin udhëtimet dhe, kur është e mundur, të punojnë nga shtëpia.
Stuhia “Boris” ka prekur Europën Qendrore dhe Lindore, duke shkaktuar dhjetëra viktima. (Irma)