Ambasadori Sejko: Banka Botërore, rol mbështetës për anëtarësimin në SEPA
2024-09-20 14:43:07

Sejko (Foto Atsh)

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi një takim me përfaqësuesin e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Emanuel Salinas, ku vlerësoi asistencën teknike të ofruar ndër vite nga Banka Botërore, kryesisht në fushat e mbikëqyrjes bankare, sistemeve të pagesave, ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe edukimit financiar, shkruan “ATSH”.

Pasi bëri një ekspoze të panoramës ekonomike në vend, të fokusuar në stabilitetin financiar, rritjen ekonomike, ecurinë e kreditimit dhe depozitave, guvernatori Sejko foli dhe mbi anëtarësimin në Tregun Unik të Pagesave në Euro, (SEPA), dhe zbatimin e projektit për pagesat e shpejta (Instant Payment), për të cilin Banka e Shqipërisë po bashkëpunon ngushtë me ekspertët e Bankës së Italisë.

Në këtë kuadër, sipas tij, Banka Botërore mund të luajë një rol mbështetës për këtë projekt me rëndësi strategjike për Bankën e Shqipërisë dhe zhvillimin e pagesave në vend.

Një tjetër prioritet i Bankës së Shqipërisë këtë periudhë, në të cilën angazhimi i Bankës Botërore mbetet i një rëndësie të veçantë, ka qenë përmirësimi i kuadrit rregullator për sistemin financiar dhe sidomos në fushën e mbrojtjes së konsumatorit në mënyrë që të sigurohet mbrojtja e interesave më të mira të konsumatorëve përballë zhvillimeve të vazhdueshme të këtij tregu.

Salinas përgëzoi guvernatorin Sejko për angazhimin e shfaqur gjatë zbatimit me sukses të projekteve të përbashkëta dhe u shpreh se Banka Botërore do të vijojë të angazhohet që programet e asistencës teknike dhe bashkëpunimi ndërinstitucional të thellohen edhe më tej.

Në përfundim, bashkëbiseduesit diskutuan mbi projektet e ardhshme të Bankës së Shqipërisë, të cilat mund të mbështeten nëpërmjet asistencës teknike të ofruar nga Banka Botërore. (Irma)