Sukses i edicionit të 3-të të “The Gjallica International Festival”
2024-09-20 11:15:38

The Gjallica international Festival    (Foto personale)

The Gjallica international Festival    (Foto personale)

Edicioni i tretë i “The Gjallica International Festival” me titullin “Ka ardh vakti” u zhvillua këto ditë në qytetin e Kuksit dhe solli para publikut kuksian shumë artistë profesionistë, por edhe të rinj të talentuar. Sipari i festivalit ndërkombëtar u çel nga banda frymore, nga më të veçantat në Shqipëri, “The Door Albania”, e përbërë nga 22 instrumentistë të talentuar me aftësi ndryshe. Në një nga netët e festivalit u krijuan hapësira për talentët e rinj të qytetit të Kukësit, por edhe larmi programacioni, të punuara me kujdes të veçantë nga artistja kuksiane Hersi Matmuja dhe  bashkëshorti i saj artisti italian Jacopo Conoci. Përveç se drejtuesit artistikë  të “The Gjallica International Festival”,  çifti i artistëve performuan  së bashku, duke dhuruar  një atmosferë të paharrueshme për  publikun. Në intervistë për Radio Ejani Hersi Matmuja flet për organizimin dhe suksesin e këtij festivali

Jacopo Conoci & Hersi Matmuja  (Foto personale)

Jacopo Conoci & Hersi Matmuja  (Foto personale)

CMG: Ka pak që ka përfunduar edicioni i tretë i “The Gjallica International Festival”. Si ishin këto tre ditë festivali në Kukës?

Hersi Matmuja: Tashmë që ka përfunduar "The Gjallica International Festival", kujtoj se ishin ditë të ngarkuara dhe me shumë emocione të bukura. Nuk është e thjeshtë që të organizosh një festival në distancë, pasi unë  e kam ndërtuar jetën time në vendin fqinj, në Itali, por  falë ndihmës së madhe që kam nga bashkëpunëtorët e mi në vendlindje, u bë i mundur realizimi i edicionit të tretë të festivalit.

CMG: Si janë ndjesitë e tua pasi u krye  edhe misioni i këtij viti?

Hersi Matmuja:  Ndjehem mjaft e realizuar sepse patëm një shkëputje një vjeçare nga edicioni i dytë, por erdhëm këtë vit më fort, gjithçka ishte e organizuar më mirë. Jam e lumtur që e realizuam me shumë sukses këtë edicion të tretë të këtij festivali, i cili tashmë u konsolidua si festivali i Kuksit "The Gjallica International Festival" dhe kjo gjë më bën vërtetë shumë të lumtur.

CMG: Çfarë ishte ndryshe këtë herë?

Hersi Matmuja: Ky festival u karakterizua nga dy elemente shumë të rëndësishëm:  gjithëpërfshirës sepse në këtë festival kishim muzikantë profesionistë  me aftësi ndryshe, artistë të rinj, talentë të qytetit, nostalgjikët e qytetit, si  dhe muzikën tradicionale. Gjithashtu një element shumë i rëndësishëm i "The Gjallica International Festival" ishin artizanët duarartë të Kuksit me punimet e tyre, një film me metrazh të shkurtër të realizuar nga kuksianë dhe ata që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë. Ky festival solli shumë njerez që fizikisht nuk e kishin të mundur të ishin aty. Jam shumë e lumtur për këtë realizim të edicionit të dytë të festivalit.

Nata e pare  The Gjallica international Festival  (Foto personale)

Nata e pare  The Gjallica international Festival  (Foto personale)

CMG: Gjatë tre ditëve  të festivalit kishte larmi programacioni dhe të ftuarisht njëkohësisht. Na trego më me hollësi rreth përmbajtjes artistike të koncertit.

Hersi Matmuja: Ishte e vërtetë që festivali këtë vit kishte larmi programacioni. Dita e parë u mbajt në sheshin "Skënderbej" në Kukës, me bandën frymore me aftësi ndryshe, të cilët sollën një atmosferë krejt ndryshe në qytet, më pas kishin performancën e tyre një trio muzikantesh, pjesë e orkestres të Radio Televizionit Shqiptar, të cilët bashkë me bandën frymore, alternuan një program shumë të bukur. Natën e dytë të festivalit e kam shumë për zemër sepse i dedikohet artistëve të rinj të qytetit të Kuksit, kishim një soprano të Liceut Artistik, një klarinetist që studion në Universitetin e Prishtinës, si dhe artistë të rinj të talentuar të këtij qyteti nga 10-15 vjeç.

Me një repertor nga këngët e liqenit, këngët korçare, apo rrokut nga Kosova, ishte një natë ku u bënë bashkë e tashmja, e shkuara dhe e ardhmja, u krijua një atmosferë që i kishte munguar prej kohësh këtij qyteti. Nata e tretë ishte diçka ndryshe pasi kishim premierë të filmit me metrazh të shkurtër "Urdhërat" me regjisor, producent Manuel Nashi, muzika u realizuar nga një artist klasik që jeton dhe vepron në Zvicër dhe kisha mundësinë dhe fatin ta njihja me autorët e filmit.  Nata e tretë u mbyll me një koncert nga unë dhe Jacopo, gjithashtu edhe Montana nga Gjermania dhe Taulanti nga Gjakova, ku luajtëm këngët më të bukura shqiptare nga veriu në jug. Ka qenë vërtetë një festival unik për Kuksin deri në këtë moment dhe shpresojmë që ta pasurojmë më shumë dhe në vitet që vijnë. Një element që e karakterizon këtë event ishte dhe panairi i artizanatit, ku artizanët e Kuksit, kanë shkrirë artin e tyre, sollën objekte të ndryshme, kapele, çanta, aksesorë nga më të ndryshmet, çdo gjë ishte unike, prandaj u jam falenderuese duarartëve të Kuksit.

CMG: Çfarë përqafoi publiku më tepër?

Hersi Matmuja: Publiku ka qenë i pranishëm çdo natë dhe ka duartrokitur shumë trion nostalgjike, ku kuptova se sa shumë i mungonin këto këngë. Edhe mbrëmjen tradicionale që sollëm unë me Jacopon, si dhe Taulanti me Montanën, publiku e pëlqeu shumë. Publiku ka pëlqyer gjithë programin e festivalit nga fillimi deri në fund.

CMG: Po ti çfarë kujtimi more me vete këtë herë?

Hersi Matmuja: Në radhë të parë mora pëqafimin e publikut tim në Kukës. Kur gjërat bëhen me zemër, me dashuri e me dëshirë, me anë të artit dhe të asaj që unë jam, atëherë rezultati është i padiskutueshëm. Isha me familjen time, në shtëpinë time dhe po bëja diçka të mirë për qytetin tim të zemrës, Kuksin.

Talentet e rinj te qytetit (Foto nga facebook)

CMG: Cili është synimi i këtij festivali?

Hersi Matmuja: Këtu mund të rrija tre orë të tëra të flisja, pasi do doja të organizoja shumë gjëra, por nga viti në vit po i realizoj gjithmonë e më shumë. Synimi i këtij festivali në vitet e para ka qenë lartësimi, risjellja, ripërpunimi i pjesëve, i këngëve burimore kuksiane, pasi me bindje e them se nuk njihen aq sa duhet në Shqipëri apo jashtë saj, por me këtë gjë po merrem vetë. Oreksi vjen duke ngrënë dhe deri tani duam të ngrejmë zërin e gjithë resurseve që ka Kukësi.

Ky qytet ka një natyrë të mrekullueshme, duhet zhvilluar më shumë, duhen krijuar rrugë apo hapa që të njihet dhe pse festivali të mos bëhet një shkak për këtë gjë. Prandaj në aktivitetet e ardhshme do jem gjithmonë e më shumë në natyrë, do jem aty ku ka lindur muzika, ku kanë lindur ritualet e ndryshme të Kuksit, ndaj synimet tona ndryshojnë nga viti në vit, shumohen do të thoja, pasi ne po shohim në terren se çfarë ka nevojë Kuksi si qytet, ndaj mundohem që në festival t’i ofrojmë të gjitha këto me anë të një programi artistik, gjithmonë e më të larmishëm.

 Por pa harruar resurset që kemi në terren, që na japin ndihmë, që na drejtojnë për të na shfaqur nevojat e qytetit, aty ku mund të japim kontributin tonë. Ndaj synimet e këtij festivali janë të shumta, por qëllimi kryesor është të kemi një event që i shton vlerat artistike  jo vetëm qytetit të Kuksit, t’i jap një dorë atyre që jetojnë në Kukës, me zhvillime të bizneseve të ndryshme që kanë, me anë të eventeve që do të organizojmë.

CMG: Ke filluar të mendosh për vitin e ardhshëm?

Hersi Matmuja: Po kam filluar dhe vitin tjetër ju pres të gjithëve në festival në Kukës, për t'i prekur me dorë gjithçka që ofron.  I kam dhjetë festivale të renditura në kokë, dhe shpresoj që të jetë në rritje, të jetë një kreshendo e vazhdueshme.

CMG: Jeton prejt vitesh në Itali, sa kanë arritur ta njohin Kuksin kolegët e tu italianë?

Hersi Matmuja: Po e them shkurt, kush njeh Hersi Matmujën, njeh edhe Kukësin.

CMG: Faleminderit dhe suksese!

Hersi Matmuja: Faleminderit për intervistën dhe ju mirëpres në edicionin e katërt vitin e ardhshëm në "Gjallica Internatinal Festival".

-Bashkë me këngëtaren Hersi Matmuja drejtues artistik i këtij festivali është edhe bashkëshorti i saj Jacopo Conoci, i cili ka dhënë opinionin e tij për Radio Ejani rreth festivalit “The Gjallica International Festival”. 

Jacopo Conoci & Hersi Matmuja  (Foto personale)

CMG: Përshëndetje Jacopo! Na trego për angazhimin e këtij festivali, cili është opinion yt për këtë event që mbahet në qytetin e Kukësit?

Jacopo Conoci: Të organizosh një festival është një impenjim i madh sepse nuk bëhet fjalë vetëm për një koncert ku luhet muzikë, por e rëndësishme është që të njihet kultura e qytetit të Kukësit. Për ne është shumë e rëndësishme, por edhe e vështirë njëkohësisht për ta realizuar këtë koncert në qytetin e Kukësit. Për mua ishte një vit shumë i bukur dhe interesant, sepse na pëlqen ideja që të njihet si vend. Unë personalisht jam i huaj, jam italian dhe tashmë jam bërë pjesë e këtij  vendi. I njoh rrugët, njerëzit, shëtisim bashkë me familjen, pra jam familjarizuar me këtë qytet. Kështu që mendoj se komunikimi është krijuar dhe banorët e këtij qyteti duhet të mësohen me këtë risi, që mendoj se mund të jetë interesante për ta. Ky festival është një ngjarje kulturore në të cilën ne besojmë dhe punojmë fort për çdo vit, kjo është shumë e rëndësishme për ne.

anda muzikore The Door Albania (Foto nga facebook)

Banda muzikore “The Door Albania” (Foto nga facebook)

Ditën e parë të “The Gjallica International Festival” qyteti i Kukësit u mbush me elegancën muzikore të “Tirana Trio” me interpretimin e instrumentisteve Ola Haka, Edlira Shkurti, Gili Bruzi. Meloditë e tyre të pasura shqiptare e zbukuruan sheshin “Skërnderbej” të këtij qyteti, duke krijuar një atmosferë mjaft të bukur. Një nga netët e festivalit u dedikohej të rinjve, talentëve të Kukësit, të cilët ndriçuan me paraqitjet e tyre skenike. Ndërsa në natën e tretë të “The Gjallica International Festival” artististja Hersi Matmuja me bashkëshortin e saj artistin Italian Jacopo Conoci, sollën një bashkëpunim me dyshen Taulant Lekaj dhe Montana Zimmerman. Tingujt e tyre  ofruan interpretime të paharrueshme të këngëve lumjane dhe atyre më të bukura shqiptare. Por e veçanta e këtij festivali dhe që u mirëprit shumë mirë ishte pjesëmarrja e bandë muzikore frymore nga Shkodra “The  Door Albania”, banda e vetme në ballkan ku marrin pjesë 22 muzikantë me aftësi ndryshe, të cilët performojnë prej 20 vjetësh në qytete të ndryshme të vendit, dhe  në shumë vende të botës.

Për tre ditë rradhazi qyteti i Kukësit pati koncerte, shfaqje filmash, panair i kulinarisë dhe i artizanatit, ku duarartat, artizanet e palodhura që mbajnë gjallë traditën e këtij qyteti, ishin pjesë me punimet e tyre në panairin e edicionit të tretë të “The Gjallica International  Festival”. Përgjatë këtyre tre ditëve u organizuan aktivitete të tjera në natyrën e bukur të  qytetit verior të  Kukësit.

Intervistoi: Sava Lena