Shqipëri-Turqi, bashkëpunim për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë
2024-09-20 15:41:50

Bashkepunimi me Turqine (Foto Atsh)

Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Arian Jaupllari, zhvilloi në Ankara një takim me homologun turk, Ahmet Bagci, ku diskutuan mbi zhvillimin e bujqësisë dhe bashkëpunimin mes dy vendeve, veçanërisht lidhur me procesin e anëtarësimit në BE, shkruan “ATSH”.

Gjatë vizitës në Ankara, delegacioni shqiptar zhvilloi një vizitë pune edhe në zyrën e “FAO SEC”, ku u pritën nga drejtori i përgjithshëm i Kërkimeve dhe Politikave Bujqësore (TAGEM).

Në fokus të diskutimeve ishin përpjekjet e bashkëpunimit dhe shkëmbimi i pikëpamjeve për inovacionin dhe kërkimin mes dy vendeve në fushën e bujqësisë.

Të pranishmit vizituan edhe Kopshtin Botanik Kombëtar, për të përftuar njohuri të vlefshme për biodiversitetin dhe kërkimin bujqësor.

Në një deklaratë të zyrës së FAO-s në Shqipëri u bë e ditur se vizita pesëditore në Turqi (Ankara dhe Ayden) u organizua në kuadër të Projektit të FAO-s mbi Zhvillimin e Qëndrueshëm të Zinxhirit të Vlerës së Gështenjës - Një produkt prioritar (OCOP).

Në deklaratë u theksua se vizita ishte një mundësi e mirë për vendimmarrësit në nivel qendror, si dhe sektorin privat për të fituar njohuri të drejtpërdrejta në aspektet institucionale dhe teknike për zhvillimin e qëndrueshëm të zinxhirit të vlerës së gështenjës në Shqipëri.

Gjatë vizitës në Turqi, delegacioni shqiptar vizitoi edhe selinë e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), me objektivin për projektet e ardhshme të përbashkëta midis Shqipërisë dhe Turqisë. (Irma)