Foto nga MT
Ministri i Tregtisë i Kinës Wang Wentao kryesoi të enjten në Bruksel simpoziumin midis kompanive të zinxhirit të industrisë së automjeteve elektrike të Kinës dhe të Evropës. Në këtë simpozium morën pjesë përfaqësues nga 30 ndërmarrje kineze e evropiane të automjeteve elektrike, të baterive e të pjesëve të këmbimit dhe nga shoqatat përkatëse. Pjesëmarrësit patën shkëmbime të thella mendimesh mbi zgjidhjen e duhur të çështjes antisubvencion të BE-së ndaj automjeteve elektrike kineze dhe vazhdimin e thellimit të bashkëpunimit në zinxhirin e industrisë së automjeteve elektrike Kinë-Evropë.
Wang Wentao u shpreh se bashkëpunimi është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e industrisë së automjeteve të Kinës dhe Evropës. Bashkëpunimi në industrinë e automjeteve ndërmjet Kinës e Evropës është zhvilluar prej 40 vjetësh dhe ka arritur rezultate të pasura. Tashmë është krijuar një model bashkëpunimi me integrim të thelluar. Zhvillimi i fuqishëm i ndërmarrjeve të BE-së në Kinë ka nxitur zinxhirin e industrisë së automjeteve të Kinës. Kina ofron një treg të hapur e një mjedis konkurrence të barabartë për ndërmarrjet e BE-së. Gjatë 40 vjetëve, tipari më dallues i industrive kineze dhe evropiane të automjeteve është bashkëpunimi, përvoja më e vlefshme është konkurrenca dhe themeli kryesor është një mjedisi i drejtë.
Ministri vuri në dukje se, përballë hetimit antisubvencion ndaj automjeteve elektrike kineze nga BE-ja, Kina do të vazhdojë përpjekjet e saj për ta zgjidhur çështjen nëpërmjet negociatave dhe konsultimeve deri në momentin e fundit. Racionaliteti, pajtueshmëria dhe paanshmëria e hetimit antisubvencion të BE-së për automjetet elektrike kineze kanë ngjallur gjerësisht dyshime. Kjo lëvizje nga pala evropiane jo vetëm që do të pengojë bashkëpunimin në industrinë e automjeteve ndërmjet Kinës e Evropës dhe do të dëmtojë besimin e kompanive kineze për të investuar në Evropë, por do të ndikojë seriozisht edhe në bashkëpunimin global për ndryshimet klimatike dhe do të dëmtojë seriozisht rendin e tregtisë shumëpalëshe të bazuar në rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë.
Wang theksoi se tani industritë e automjeteve të Kinës e Evropës janë në udhëkryq dhe hapja e bashkëpunimi janë zgjedhja më e mirë. Kina po zhvillohet në procesin e reformës dhe nuk do ta mbyllë derën e hapur të saj. Qeveria kineze përkrah me vendosmëri bashkëpunimin e ndërmarrjeve kineze e evropiane, kundërshton “shkëputjen dhe thyerjen e zinxhirëve”, dhe do të mbrojë interesat e ligjshëm të ndërmarrjeve kineze dhe të ndërmarrjeve evropiane në Kinë. (Çang Çuo)