Filmi “Pikë uji” do të përfaqësojë Shqipërinë në çmimet “Oscar”
2024-09-20 11:48:38

Foto nga ATSH

Komisioni Përzgjedhës i Filmit në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë votoi për të përzgjedhur filmin “Pikë uji” për të përfaqësuar Shqipërinë në ndarjen e çmimeve të “Academy of Motion Pictures, Arts and Sciences” për vitin 2025, shkruan “ATSH”.

Filmi artistik me metrazh të gjatë “Pikë uji”, me regji të Robert Budinës, është realizuar nga shtëpia kinematografike “Era Film” dhe do të konkurrojë në kategorinë “International Feature Film”, në edicionin e 97-të të Çmimeve “Oscar”.

Filmi “Pikë uji” e pati premierën vetëm 1 javë më parë në kinematë e kryeqytetit. Në qendër të historisë, shkruar nga Robert Budina, Doruntina Basha e Ajola Daja, qëndron Aida. Ajo ka arritur majat e pushtetit në qytetin e saj, por kur djali i saj, Marku, përfshihet në një akuzë të rëndë, bota e Aidës fillon të lëkundet.

“Pikë uji” është  një thriller emocionues që zbulon çmimin e vërtetë të pushtetit dhe dashurisë prindërore.

Filmi është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, MIBAC, QKK Kosovë, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut, “Creative Europe Media”, SEE. (Irma)