Aftësitë dixhitale, raporti i OECD-së: Shqipëria e fundit në rajon
2024-09-19 11:50:08

Foto nga Panorama

Shqipëria, përveçse mbetet larg mesatares së Bashkimit Europian sa i takon treguesit që lidhet me aftësitë dixhitale bazike tek individët, mbetet gjithashtu performuesi më i keq në rajon.

Një raport i fundit i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) “Ballkani Perëndimor, Perspektiva e Konkurrueshmërisë 2024: Profili Rajonal” ndalet ndër të tjera edhe tek aftësitë dixhitale të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku rezulton se në krye të listës qëndron Mali i Zi dhe në fund të saj Shqipëria, shkruan “Panorama”.

Sipas raportit, teksa ekonomitë e Ballkanit Perëndimor nisin tranzicionin e gjelbër dhe atë dixhital, sistemet e tyre të aftësive duhet të parashikojnë nevojat për aftësi në të ardhmen.

Kjo përfshin krijimin e infrastrukturës së duhur për edukim dhe trajnim për zhvillimin dhe përshtatjen e aftësive që mundësojnë dhe mbështesin këto tranzicione.

“Aktualisht, zhvillimi i aftësive dixhitale në rajon tregon konvergjencë të kufizuar drejt niveleve të BE-së, me përqindjen e individëve në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor që zotërojnë aftësi dixhitale bazike të paktën 20 për qind më të ulëta se në BE. Megjithatë, ndërsa të gjitha ekonomitë bien nën mesataren e BE-së, ka ndryshime të konsiderueshme: Mali i Zi është performuesi më i mirë i rajonit, me vetëm 7 pikë përqindjeje larg nivelit të BE-së, ndërsa Shqipëria raportoi norma më pak se 30%. Kjo zbulon nevojën për të vazhduar përmirësimin dhe zhvillimin e këtyre aftësive mes studentëve dhe fuqisë punëtore në rajon duke marrë parasysh pozicionin unik të secilës ekonomi”, - thuhet në raport. (Elona)