Foto nga CFP
Radiomarrëse të përdorura nga grupi i armatosur "Hezbollah" shpërthyen të mërkurën në mbarë jugun e Libanit në ditën më vdekjeprurëse në këtë vend që kur shpërtheu lufta ndërkufitare midis militantëve dhe Izraelit gati një vit më parë, duke ndezur tensionet pas shpërthimeve të ngjashme të biperave të grupit një ditë më parë.
Ministria e Shëndetësisë e Libanit tha se 20 veta u vranë dhe më tepër se 450 u plagosën të mërkurën në periferitë e Bejrutit dhe luginën Bekaa, ndërsa numri i vdekjeve nga shpërthimet e së martës u rrit në 12, duke përfshirë dy fëmijë, me gati 3 000 të plagosur.
Media vendore tha se pajisjet e përfshira u identifikuan si modele "ICOM V82", që raportohet se janë të prodhuara në Japoni. Shërbimet e emergjencës u dërguan për të transportuar të plagosurit në spitale.
Zyrtarët izraelitë nuk kanë komentuar për shpërthimet, por burimet e sigurisë thanë se agjencia izraelite e spiunazhit "Mossad" ishte përgjegjëse. Një zyrtar i Hezbollahut tha se kjo ishte shkelja më e madhe e sigurisë në historinë e grupit.
Sulmet përkuan me një njoftim nga ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant për një "fazë të re" në konfliktin me "Hezbollahun". "'Qendra e rëndesës' po zhvendoset në veri, që do të thotë se po shpërndajmë forca, burime dhe energji për arenën veriore," tha Gallant në deklaratat e publikuara nga zyra e tij.