foto nga CFP
Bashkimi Europian ka ofruar deri tani 118 miliardë euro ndihmë për Ukrainën që nga fillimi i konfliktit me Rusinë në shkurt të vitit 2022.
Mbështetja e unionit për Ukrainën u diskutua në Asamblenë e Përgjithshme të Parlamentit Europian, e cila filloi mandatin legjislativ 2024-2029 pas zgjedhjeve të mbajtura më 6-9 qershor.
Zv.presidenti i Komisionit të BE-së, Valdis Dombrovskis, theksoi se Ukraina vazhdon të ketë nevojë për ndihmë urgjente ushtarake për t'u mbrojtur, citon “RTSH”.
Duke theksuar se BE-ja do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën ushtarakisht dhe financiarisht, ai paralajmëroi se ky dimër nuk do të jetë i lehtë për ta, sepse Rusia po sulmon burimet energjetike dhe infrastrukturën.
Dombrovskis deklaroi se shuma totale e ndihmës së dhënë Ukrainës nga BE-ja dhe shtetet e saj anëtare deri tani ka arritur në rreth 118 miliardë euro, ndërsa vuri në dukje se 43.5 miliardë euro nga kjo shumë janë ndihmë ushtarake.
Dombrovskis theksoi se BE-ja synon të trajnojë 15 mijë ushtarë të tjerë ukrainas deri në fund të dimrit. (Elona)