Foto nga VCG
Më shumë se 39 milionë njerëz mund të vdesin nga infeksionet rezistente ndaj antibiotikëve deri në vitin 2050, sipas një analize të re globale.
Studiuesit thonë se tani është koha për të vepruar për të mbrojtur njerëzit në mbarë botën nga kërcënimi i paraqitur nga rezistenca ndaj barnave të përdorura për trajtimin e infeksioneve.
Të dhënat tregojnë se më shumë se 1 milion njerëz vdesin çdo vit nga infeksionet rezistente ndaj ilaçeve në nivel global, shkruan “ATSH”.
Analiza e re globale nga projekti “Global Research on Antimicrobial Resistance” (GRAM) ka gjetur se vdekjet nga rezistenca antimikrobiale (AMR) te fëmijët nën moshën pesë vjeç ranë me 50% gjatë periudhës kohore 1990-2021. Megjithatë, ato u rritën me më shumë se 80% te njerëzit e moshës 70 vjeç e lart.
Gjetjet theksojnë nevojën për masa që kombinojnë parandalimin e infeksionit, vaksinimin, minimizimin e përdorimit të papërshtatshëm të antibiotikëve dhe kërkimin për antibiotikë të rinj për të zbutur numrin e vdekjeve të parashikuara për vitin 2050. (Elona)