Ministri Hoxha në takimin e Procesit të Berlinit: Të shkëmbejmë në kohë reale të dhënat mbi flukset migratore
2024-09-19 10:04:41

Ministrat e Brendshëm të Procesit të Berlinit (Foto ATSH)

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, mori pjesë në takimin e ministrave të Brendshëm të vendeve të Procesit të Berlinit, bashkë me homologët nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në këtë takim, që u zhvillua në Berlin, aty ku ky proces nisi 10 vite më parë nga kancelarja Merkel, u diskutua mbi emigracionin e paligjshëm dhe krimin e organizuar, bën të ditur “ATSH”.

Ministri Hoxha falënderoi Gjermaninë për angazhimin dhe përkushtimin që ka në këtë iniciativë të rëndësishme dhe rikonfirmoi qëndrimin e Shqipërisë për të thelluar bashkëpunimin rajonal në kuadër të këtij procesi.

Ministri i Brendshëm shqiptar informoi se janë ndërmarrë një sërë nismash që kanë rritur jo vetëm koordinimin me vendet e rajonit dhe të BE-së, por edhe angazhime të përkthyera në objektiva kombëtare bazuar në sfidat aktuale të sigurisë.

Ai theksoi se për Shqipërinë mbetet shumë i rëndësishëm forcimi i mekanizmit kombëtar të riintegrimit.

Ministri Hoxha propozoi krijimin e një kuadri të përbashkët për shkëmbimin në kohë reale të të dhënave dhe analizave mbi flukset migratore përgjatë rrugës së Ballkanit drejt BE-së.

Referuar bashkëpunimit operacional kundër krimit të organizuar, ministri Hoxha tha se janë ndërmarrë 77 operacione në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë, gjysma e të cilave në fushën e narkotikëve dhe trafikimit. (Elona)