INSTAT: Eksportet e mallrave arritën 22 miliardë lekë në gusht
2024-09-19 11:07:39

Port (Foto ATSH)

Port (Foto ATSH)

Eksportet e mallrave arritën vlerën 22 miliardë lekë në gusht të këtij viti, duke u ulur me 18.2%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 32.5 %, në krahasim me korrikun.

Instituti shqiptar i Statistikave (INSTAT) publikoi raportin mbi tregtinë e jashtme, sipas të cilit, importet e mallrave arritën vlerën 69 miliardë lekë, duke u rritur me 1.9% në krahasim me një vit më parë dhe duke u ulur me 19.4% në krahasim me korrikun 2024, citon “ATSH”.

Ndërkohë, deficiti tregtar i këtij muaji është 46 miliardë lekë, duke u rritur me 15.6% krahasuar me gushtin 2023 dhe duke u ulur me 11%, në krahasim me korrikun 2024.

Sipas INSTAT-it, në uljen e eksporteve kanë ndikuar negativisht grupet: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me 10 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me 3.7 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me 2.8 pikë përqindje

Në rritjen e importeve kanë ndikuar pozitivisht grupet: “Ushqim, pije, duhan” me 1.5 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me 0.6 pikë përqindje, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 0.5 pikë përqindje etj. (Elona)