Miratohet skema kombëtare e investimit në ferma, Denaj: Fuqizojmë aktivitetin bujqësor
2024-09-19 11:48:03

Foto nga VCG

Këshilli i Ministrave ka miratuar skemën kombëtare të investimit në ferma. Në një komunikim për mediat pas përfundimit të mbledhjes, ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, tha se kjo skemë me 50% të investimit grant do të shërbejë për të fuqizuar aktivitetin bujqësor të fermerëve, blegtorëve dhe sektorin e peshkimit, citon “RTSH”.

Skema ka një buxhet që për këtë vit fillon me 500 milionë lekë dhe do të nisë më 1 tetor.

“Fokusi i parë do të jetë në të gjithë të interesuarit që duan të zgjerojnë investimet në sera, për të siguruar produkt cilësor. Sektori i blegtorisë, përgjatë këtij viti, ka pasur vëmendje të shtuar përmes skemës kombëtare të subvencioneve.  Shumë i rëndësishëm është edhe sektori i akuakulturës”,- tha ministrja. (Elona)